Fëmijët e prindërve që jetojnë përtej moshës 100-vjeçare kanë më pak rrezik për vdekje të parakohshme dhe sëmundje të zemrës. Ky është përfundimi i një studimi të fundit në Shtetet e Bashkuara.
Studiuesit thonë se njerëzit, prindërit e të cilëve jetojnë mbi 100 vjeç, mund të kenë më pak probleme shëndetësore të lidhura me moshën dhe një jetëgjatësi më të madhe.
Ekspertët analizuan të dhënat e më shumë se 4 mijë personave, të marra nga tre studime afatgjata në SHBA dhe Mbretërinë e Bashkuar.
Ata krahasuan njerëzit që kishin të paktën një prind që kishte arritur moshën 100-vjeçare me ata, prindërit e të cilëve kishin jetuar më pak.
Rezultatet treguan se pasardhësit e 100-vjeçarëve kishin 42% më pak rrezik për vdekje të parakohshme, 33% më pak rrezik për sëmundje kardiovaskulare dhe 32% më pak rrezik për tension të lartë të gjakut.
Mesatarisht, vdekshmëria tek këta persona u shfaq rreth tre vjet më vonë, ndërsa hipertensioni rreth pesë vjet më vonë.
Studiuesit morën parasysh edhe faktorë si duhanpirja, arsimi, dieta, aktiviteti fizik, konsumimi i alkoolit dhe gjendja ekonomike. Rezultatet mbetën përgjithësisht të ngjashme.
Megjithatë, shkencëtarët theksojnë se studimi nuk provon se gjenet janë shkaku i drejtpërdrejtë dhe nuk tregon saktësisht se cilët faktorë ndikojnë në jetëgjatësi.
Sipas tyre, studimi i fëmijëve të 100-vjeçarëve mund të ndihmojë në zbulimin e faktorëve gjenetikë dhe mjedisorë që mundësojnë më shumë vite jetë të shëndetshme.
The post Studimi zbulon avantazhin shëndetësor të fëmijëve të prindërve që jetojnë mbi 100 vjeç appeared first on Euronews Albania.
