Korça bëhet kryeqyteti i komedisë, nis edicioni i 13-të i KOKOFEST (VIDEO)

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Në Korçë ka nisur edicioni i 13-të i KOKOFEST, Festivalit Ndërkombëtar të Komedisë, që për dhjetë ditë do të sjellë shfaqje, humor dhe artistë nga Shqipëria e rajoni. Festivali u hap me muzikalin “Katedralja” me regji të Xhuljano Briskut dhe do të vijojë deri më 6 shtator me një program të pasur artistik.

“Besoj se ia dola, sepse shfaqjet e dhjetorit pashë në vrull një dashuri nga publiku. Tani e kemi më të lehtë. Këtë herë është festival prestigjioz si KOKOFEST. Katedralja është më e njohura në gjithë botën. Gjashtë muaj më hëngri jetën pak e nga pak, shkoi mirë dhe pata suport nga gjithë ekipi”, tha Brisku.

Sipas drejtoreshës së Teatrit “Andon Zako Çajupi”, Zamir Kita, ky edicion sjell risi, pasi pjesë e festivalit janë edhe studentë të artit dramatik.

“KOKOFEST vjen ndryshe. Së pari është 9 ditë, shumë i gjatë, 9 shfaqje. Nuk kemi pasur kaq shumë ndonjëherë. Kemi shfaqje të të rinjve. Besoj do të shkojë mbarë, do qeshim, do gëzojmë”, tha Kita.

Edhe aktorët Alfred Trebicka dhe Jorgaq Tushe e vlerësojnë KOKOFEST si një mundësi të rëndësishme për aktorët dhe regjisorët, por edhe për publikun që përmes komedisë merr emocione dhe humor.

“Humori shqiptar ka pasur një fizionomi të vetën që ka qenë shumë unike. Sigurisht, me ndryshimin e kohërave, ndryshon qasja e humorit, mënyra e të bërit humor. Gama është shumë e gjerë, njerëzit jetojnë me nostalgji. Nuk është kollaj të konfirmohesh në humor. Humori është privilegji i njerëzve inteligjentë”, tha Alfred Trebicka.

“KOKOFEST e kaloi sferën e Korçës, është kombëtare. Kjo është gjëja më e mirë që ka ky festival. Atyre që shkruajnë u mungojnë, por ka të rinj që duan të imitojnë të parët”, tha Jorgaq Tushe.

Në natën e dytë, në skenën e Teatrit të Korçës ngjitet Teatri “Petro Marko” i Vlorës me shfaqjen “Plaçka”, të Joe Orton.

The post Korça bëhet kryeqyteti i komedisë, nis edicioni i 13-të i KOKOFEST (VIDEO) appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: