Kurti kërkon zhbllokimin e mbi 2.1 milionë eurove për shqiptarët në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Shqiptarë nga Presheva, Bujanoci, Medvegja e Sanxhaku u bënë pjesë e një tryeze diskutimi në Prishtinë, ku u ngritën shqetësimet për diskriminimin institucional dhe bllokimin e mjeteve financiare për projektet e tyre. Takimi u organizua nga kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, dhe mblodhi përfaqësues politikë e të shoqërisë civile nga këto treva.

Në takim ishin të pranishëm edhe deputeti në Parlamentin e Serbisë, Shaip Kamberi, kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani, dhe kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar, Enkel Rexhepi. Kurti tha se mbështetja për shqiptarët në këto zona është përgjegjësi e vazhdueshme për Kosovën dhe kërkoi zhbllokimin e fondeve për projektet e miratuara.

Sipas Kurtit, bëhet fjalë për dy transfere të bllokuara gjatë këtij viti, me një vlerë totale prej 2 milionë e 142 mijë eurosh. Ai tha se fondet lidhen me dhjetëra projekte në art, kulturë, trashëgimi, sport, gjuhën shqipe, arsim, media dhe mbështetje sociale.

“Kemi dy transfere të bllokuara në janar të këtij viti, me vlerë prej 304.500 euro, dhe në prill të po këtij viti, me vlerë prej 1.837.500 euro, apo më shumë se gjashtëfishi i shumës paraprake. […] Vetëm këtu përbëjnë 186 projekte dhe organizata që janë aprovuar. Janë edhe 61 aplikime të familjeve të aprovuara të nxënësve që kanë humbur njërin ose të dy prindërit”, tha Kurti.

Ai u shpreh se pasojat e bllokimit të mjeteve nuk prekin vetëm organizatat përfituese, por edhe nxënësit, studentët, praktikantët, fëmijët me nevoja të veçanta dhe gazetarët. Sipas tij, dëmi nuk mund të matet vetëm me shumën financiare, pasi me vonesën e fondeve humbasin mundësi për qytetarët e këtyre trevave.

Kryeministri në detyrë u ndal edhe te vizita e fundit e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë. Ai e cilësoi situatën si tregues të klimës me të cilën përballen shqiptarët dhe tha se dallimi në trajtimin institucional të komuniteteve dëshmon, sipas tij, për një problem më të gjerë politik.

“Por shtypja nga shteti i Serbisë nuk shihet vetëm në statistika. Shihet edhe në gjuhë, shihet në sjellje, shihet në mënyrën se si reagon shteti. Kur shqiptari kërkon punësim në institucionet publike, përballet me barriera dhe nënpërfaqësim”, tha ai.

Kurti kërkoi nga Bashkimi Evropian që të reagojë ndaj asaj që e cilësoi si diskriminim sistematik, duke theksuar se parimet e sundimit të ligjit, barazisë dhe mosdiskriminimit duhet të vlejnë edhe për shqiptarët në këto zona. Ai tha se Kosova do të vijojë ta dokumentojë dhe ndërkombëtarizojë çështjen në Bruksel, Uashington dhe Strasburg.

“Sepse nuk mjafton që një shqiptar nga Presheva të trajtohet mirë në Prishtinë, duhet të ketë të drejta edhe në Preshevë. Nuk mjafton që një student nga Bujanoci të ketë sukses në Kosovë, duhet të ketë perspektivë edhe në Bujanoc. Nuk mjafton që një mjek nga Medvegja të licencohet në Kosovë, duhet të ketë mundësi të punojë me dinjitet në profesionin e vet edhe atje, në Medvegjë”, tha ai.

Në fund, Kurti u shpreh se mbështetja për shqiptarët e këtyre trevave duhet të jetë e vazhdueshme dhe e shoqëruar me mekanizma konkretë institucionalë e buxhetorë, ndërsa çështja e diskriminimit të tyre, sipas tij, duhet të mbetet pjesë e agjendës ndërkombëtare.

The post Kurti kërkon zhbllokimin e mbi 2.1 milionë eurove për shqiptarët në Preshevë, Bujanoc e Medvegjë appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: