Vdekja e aktorit, ish-asistenti i Matthew Perry dënohet me burg

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Kenneth Iwamasa, ish-asistenti personal i aktorit të njohur Matthew Perry, është dënuar me burg pasi pranoi fajësinë për përfshirjen në shpërndarjen e ketaminës që çoi në vdekjen e yllit të serialit “Friends”.

Sipas dokumenteve gjyqësore, 60-vjeçari kishte rol kyç në sigurimin dhe administrimin e drogës për Perry-n në javët e fundit të jetës së tij. Ai pranoi se i kishte bërë aktorit gjashtë deri në tetë injeksione me ketaminë të paligjshme, përfshirë dozën fatale që shkaktoi vdekjen e Perry-t më 28 tetor 2023.

Iwamasa ishte personi i fundit që e pa Perry-n gjallë dhe më pas e gjeti të pajetë në xhakuzinë e shtëpisë së tij. Fillimisht ai mohoi përfshirjen dhe shkatërroi prova, por më vonë arriti marrëveshje me prokurorët dhe u bë dëshmitar kyç i hetimeve.

Gjatë seancës dëgjimore në Los Angeles, avokati i tij mbrojtës argumentoi se Iwamasa kishte vepruar nga besnikëria ndaj Perry-t dhe nga përpjekja për ta kënaqur atë, duke theksuar lidhjen e afërt mes tyre.

Megjithatë, Lisa Ferguson, menaxherja afatgjatë e biznesit të Perry-t dhe ekzekutorja e pasurisë së tij, e akuzoi ashpër Iwamasën se kishte izoluar aktorin nga njerëzit që përpiqeshin ta ndihmonin të qëndronte larg varësisë.

Dënimi i Iwamasës konsiderohet si mbyllja e pjesës kryesore të procesit penal ndaj pesë personave të përfshirë në furnizimin me drogë të Matthew Perry.

Vdekja e aktorit tronditi fansat në mbarë botën. Perry u bë i famshëm ndërkombëtarisht me rolin e Chandler Bing në serialin kult Friends dhe kishte folur shpesh publikisht për betejën e tij të gjatë me varësinë.

The post Vdekja e aktorit, ish-asistenti i Matthew Perry dënohet me burg appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: