Lexoje këtu nëse e ke me ngut!
Situata e Monzës në kampionat është dramatike: vendi i fundit me vetëm 10 pikë pas 19 javësh, një fitore e vetme, 7 barazime dhe 11 humbje. Distanca prej 7 pikësh nga Lecce dhe Cagliari, që ndodhen në vendet e shpëtimit, e bën misionin për mbijetesë të duket si një utopi. Ndryshimi i trajnerit para Krishtlindjeve, nga Alessandro Nesta te Salvatore Bocchetti, nuk ka dhënë fryte, me Monzën që ka humbur të dyja ndeshjet e para nën drejtimin e tij kundër Parmës dhe Cagliarit, duke çuar në gjashtë numrin e humbjeve radhazi. Në këtë situatë të rëndë, Adriano Galliani, administrator i deleguar i klubit, ka marrë masa për të motivuar skuadrën duke shkruar një letër, ku kërkon një angazhim maksimal nga futbollistët ose largimin e tyre nëse nuk besojnë më te shpëtimi.
Letra e Gallianit: “Kjo është ajo që duhet të bëjmë”
“50 vite në futboll më kanë mësuar se fjalët, sidomos kur gjërat shkojnë keq, nuk vlejnë aspak. Prandaj, asnjë fjalë e tepërt, por vetëm një objektiv për t’u arritur. Ju, dhe përsëris, ju, në gjysmën e parë të kampionatit të kaluar arritët të grumbulloni 25 pikë. Kjo është ajo që duhet të bëjmë edhe këtë gjysmë kampionati,” shkruan Galliani.
Duke vendosur kuotën e shpëtimit në 35 pikë, Galliani përkujton se kjo skuadër është pothuajse identike me atë të sezonit të kaluar, duke munguar vetëm Di Gregorio dhe Colpani.
“Kush nuk beson, mund të largohet”
Letra vazhdon me një paralajmërim të qartë: “Nëse dikush prej jush mendon se kjo është e pamundur dhe nuk është i gatshëm të vendosë zemrën, mendjen dhe shpirtin në këtë sfidë, është i lutur të më lajmërojë përmes menaxherit të tij, në mënyrë që të shqyrtojmë kushtet për një largim të menjëhershëm. Kjo është gjithçka që doja t’ju thoja. Secili prej jush të bëjë një vetë-reflektim dhe të gjejë përgjigjen brenda vetes. Faleminderit.”

Ndihma nga merkatoja e janarit
Galliani po përpiqet gjithashtu të ndihmojë trajnerin Bocchetti përmes merkatos. Në listë përforcimesh është Cyril Ngonge, që po luan shumë pak te Napoli, ndërsa ëndrra mbetet Lorenzo Insigne, i cili mund të largohet nga Toronto, megjithëse pengesa kryesore është paga e lartë e tij.
Monza po përballet me sfidën më të madhe të sezonit, dhe fjalët e Gallianit janë një thirrje për ata që besojnë ende në mrekulli.
The post Monza, Galliani i shkruan një letër lojtarëve: “Kjo është gjithçka doja t’ju thoja” appeared first on Lapsi.al.
