Berisha: Shqiptarët kanë qenë dhe mbeten motivimi im gjatë jetës

Shpërndaje:

Lexoje këtu nëse e ke me ngut!

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha gjatë një mesazhi për qytetarët është shprehur se në këtë ditë të veçantë të tij, në 80 vjetorin e lindjes, shqiptarët kanë qenë dhe mbeten motivimi më i fuqishëm për të. Gjithashtu Berisha u shpreh se vitet kanë peshën e tyre, por asgjë nuk i bën ato më të parëndësishme, më të lehta se sa motivimi i njeriut dhe frymëzimi i tij.

“Përshëndetjet më të përzemërta të gjithëve ju që na ndiqni në këtë komunikim në rrjetet sociale me miqtë e mi. Unë zgjodha si momentin më kryesor të ditëlindjes sime, 80-vjetorit, komunikimin me miqtë e mi në rrjetet sociale. Udhëtimi në 8 dekada dhe ngjitja në majën më të bukur të jetës sime, ngjall më shumë se çdo gjë tjetër mirënjohjen e pakufishme ndaj qindra mijëra, por edhe miliona shqiptarëve, që gjatë gjithë këtyre viteve, me mbështetjen e tyre, kanë qenë frymëzim i pashtershëm për mua. Vitet natyrshëm kanë peshën e tyre, por asgjë nuk i bën ato më të parëndësishme, më të lehta se sa motivimi i njeriut, frymëzimi i tij.

Në këtë kuadër, unë dua t’u siguroj se mbështetja juaj ka qenë frymëzimi më i madh për mua. Ka qenë motivimi më i fuqishëm dhe në disa aspekte vetë ky udhëtim në 8 dekada, ka pasur momente kur ju me besimin dhe mbështetjen që më keni dhënë, keni rrezikuar, keni treguar veten guximtarë, keni treguar veten njerëz të parimeve dhe idealeve të vërteta njerëzore. Keni besuar tek unë edhe në kohërat më të vështira. Keni mbështetur Sali Berishën edhe kur ajo kishte një çmim. U ndala për të thënë këto vetëm e vetëm për të theksuar se sa mirënjohës, se sa borxhli, sa i motivuar dhe i frymëzuar ndjehet Sali Berisha sot në këtë majë të 8 dekadave udhëtim.

E bukur shumë, ua them ju. Nuk kisha ëndërruar ndonjëherë se kjo majë do të ishte aq e bukur për Sali Berishën, pavarësisht nga vështirësitë, ndërlikimet, por ne bëmë një betejë atëherë kur nuk e prisnin. Një mik i imi francez në një libër lavdëron trimërinë e orës 2 të mëngjesit. E pyeta mikun tim, pse e ke veçuar trimërinë e orës 2 të mëngjesit. Sepse ora 2 e mëngjesit është ora e befasisë më të madhe dhe që ai arrin të reagojë në ora 2 të mëngjesit, ai përballon çdo befasi. Të tillë ishit ju”, tha Berisha.

The post Berisha: Shqiptarët kanë qenë dhe mbeten motivimi im gjatë jetës appeared first on Lapsi.al.

Shpërndaje:

Comments

No comments yet. Why don’t you start the discussion?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *