Bastisja e News24, gjykata amniston çetën e policëve të Ardi Veliut

Shpërndaje:

Lexoje këtu nëse e ke me ngut!

Shumë prej gazetarëve të News24 kanë thirrur “Fitore” këtë të martë pasi gjykata e Tiranës ka vlerësuar si joproporcionale ndërhyrjen ndaj grupit mediatik “Focus Media” dhe ka urdhëruar marrjen e masave të menjëhershme për mbrojtjen e integritetit të tyre profesional, përmes kthimit të sendeve personale dhe pajisjeve të punës. Vendimi është marrë në kuadër të një kërkese për sigurim padie nga kompanitë Focus Media News dhe Panorama Group, në pronësi të botuesit Irfan Hysenbelliu, pas ndërhyrjes së shoqërisë shtetërore “KAYO” sh.a dhe Policisë së Shtetit mëngjesin e 9 gushtit.

Por arsyetimin e saj, gjykatësja Alma Kodraliu ka vendosur një ndarje të qartë mes mosmarrëveshjeve kontraktuale dhe respektimit të lirisë së shprehjes, duke u dhënë të drejtë gazetarëve në shqetësimet e tyre, por pa prekur në asnjë rresht ndërhyrjen prej banditësh që një grup policësh bënë mëngjesin e datës 9 Gusht duke marrë peng godinën dhe duke mos lejuar asnjë gazetar të futej brenda institucionit.

Vendimi nuk merr parasysh pretendimet mbi kontratat e qirasë, të cilat u konsideruan çështje për Gjykatën Administrative; në vend të kësaj, theksi është vendosur te pasojat e ndërhyrjes në kufizimin e punës së gazetarëve dhe të drejtës për informim.

“Në këtë drejtim, gjykata e konsideron ndërhyrjen dhe kufizimin e gazetarëve dhe të drejtave të tyre jo në proporcion me gjendjen që pas solli këtë kufizim dhe nevojën për të ndërhyrë,” thuhet në vendim. Gjykata thekson se çdo mosmarrëveshje që lidhet me zbatimin e kontratave nga subjekte që ushtrojnë veprimtari mediatike duhet të zgjidhet në mënyrë që të cenohet sa më pak liria e shprehjes dhe e drejta e gazetarëve për të dhënë informacion.

“Shteti ka të drejtë të mbrojë interesat e tij, por edhe mbrojtja e lirisë së shprehjes është gjithashtu një detyrim ndërkombëtar, i shtrirë si në drejtim vertikal ashtu edhe në drejtim horizontal,” vijon vendimi, duke nënvizuar se “gazetarët do të duhej të lejoheshin që të merrnin sendet e tyre personale dhe ato të punës”.

Thënë këtë, është urdhëruar Zyrën e Përmbarimit Shtetëror që brenda 24 orëve të identifikojë dhe inventarizojë sendet personale të gazetarëve, përfshirë dokumentet fizike dhe elektronike në kompjuterë, si dhe t’i kthejë ato tek poseduesit. Brenda 48 orëve, përmbarimi duhet të bëjë të njëjtën procedurë edhe për pajisjet në pronësi të Focus Media News, duke vendosur nëse do të qëndrojnë në ruajtje apo do t’i dorëzohen kompanisë.

Në thelb, vendimi i gjykatës është një nul, pasi Ardi Veliu si drejtues i kompanisë “KAYO” sh.a e kishte pohuar publikisht me një letër se pajisjet e marra nga godina janë transferuar në Rezervat e Shtetit dhe mund të tërhiqen “në çdo moment nga pronari i tyre”.

Në shkresën drejtuar administratorit të Focus Media, ish-drejtori i Policisë, Ardi Veliu, ka bërë të ditur se materialet ndodhen në adresën “Rruga Bajram Tusha, pranë ish-Gjykatës së Apelit, Shkozet, Durrës” dhe se “administratori duhet të paraqitet personalisht pranë Rezervave të Shtetit si i vetmi person i autorizuar, për të marrë sa më parë sendet e gjetura dhe të inventarizuara në objekt”.

Ky vendim gjykate praktikisht nuk zhbën operacionin e 9 gushtit, kur godina e News24 në Shkozë u rrethua nga një grup policësh që nuk kishin asnjë mandat për këto veprime, iu ndërpre enrgjia elektrike dhe u ndalua hyrja e gazetarëve, duke u ndërprerë sinjali i televizionit në orën 07:36. Vendimi nuk parashikon asnjë ndëshkim edhe për veprimet që pasuan kur mobilje, kompjuterë dhe pajisje të tjera të redaksisë u ngarkuan në kamionë ushtarakë ndërsa punonjës të IMT shkatërruan pajisje të televizionit duke prishur një korridor lidhës mes godinave.

Vetë shoqëria “KAYO” sh.a ka deklaruar se lirimi i ndërtesës ishte zotim i marrë nga kompania, por që nuk u realizua, ndaj u ndërhy me forcat e armatosura, por këtë sulm nga njerëz të armatosur drejt një redaksie gazetarësh, gjykata thjesht e ka legjitimuar duke mos e ndëshkuar.

Ç’na tregon memecëria e frikshme për mbylljen e një televizioni

Në thelb, vendimi i gjykatës kthen pajisjet dhe mjetet e punës tek gazetarët dhe kompania, por nuk prek thelbin e ndërhyrjes dhe marrjes në dorëzim të godinës përmes një operacioni të shoqëruar nga një grup njerëzish të armatosur që nuk kishin asnjë mandat, të cilin organizatat vendase dhe ndërkombëtare të lirisë së medias e kanë dënuar si shkelje të rëndë të së drejtës për informim.

Fundja edhe gjykata e Tiranës, ka vepruar si të gjithë aktorët e tjerë të shoqërisë përfshirë mediat dhe shoqërinë civile duke mbyllur njërin sy për atë që ndodhi, duke e ditur fare mirë se urdhri ka qenë direkt i kryeministrit Edi Rama./Lapsi.al

The post Bastisja e News24, gjykata amniston çetën e policëve të Ardi Veliut appeared first on Lapsi.al.

Shpërndaje: