Hamasi reagon ashpër ndaj planit amerikan: Gaza nuk është në shitje

Shpërndaje:

Lexoje këtu nëse e ke me ngut!

Një zyrtar i lartë i Hamasit ka reaguar me tone të ashpra ndaj një plani amerikan që, sipas raportimeve, synon ta zhvendosë popullsinë e Gazës dhe ta shndërrojë enklavën në një destinacion turistik.

Plani, i përgatitur nga rrethet e afërta me presidentin Donald Trump, është zbuluar nga Ëashington Post, dhe parashikon zhvendosjen “vullnetare” të rreth 2 milionë banorëve palestinezë, rindërtimin e territorit dhe kthimin e tij në një qendër të teknologjisë dhe turizmit, të njohur si “Riviera e Lindjes së Mesme”.

Plani: Zhvendosje, kupona dhe qira për 4 vjet

Sipas dokumentit 38-faqësh, ata që pranojnë të largohen do të marrin 5,000 dollarë në para cash, katër vjet qira të paguar dhe ushqim për një vit.

Ndërkohë, pronarëve të tokave në Gaza do t’u ofrohet një kupon digjital në këmbim të së drejtës për të rindërtuar pronën e tyre në një të ardhme.

Administrimi i enklavës do t’i kalojë për 10 vjet një entiteti të ri të quajtur GREAT Trust (“Trusteti i Rindërtimit, Përshpejtimit Ekonomik dhe Transformimit të Gazës”), i cili më pas do t’ia linte vendin një “entiteti palestinez të reformuar dhe të deradikalizuar”.
Pas këtij plani qëndron një organizatë e mbështetur nga SHBA dhe Izraeli, e quajtur Fondacioni Humanitar i Gazës (GHF), e cila filloi të shpërndajë ndihma në maj të këtij viti. Financimi i saj mbetet i paqartë.

Hamasi: “Ky është plan kolonial”

“Gaza nuk është në shitje,” deklaroi Bassem Naim, anëtar i byrosë politike të Hamasit, përmes një mesazhi në rrjetet sociale.
Ai theksoi se territori është një “pjesë integrale e atdheut të madh palestinez” dhe shtoi: “Hamasi dhe populli ynë e hedhin poshtë këtë plan kolonial”.

Një tjetër zyrtar i lëvizjes islamike palestineze, që foli në kushte anonimiteti, theksoi: “E refuzojmë çdo plan që zhvendos popullin tonë dhe i jep legjitimitet pushtuesit.”

The post Hamasi reagon ashpër ndaj planit amerikan: Gaza nuk është në shitje appeared first on Lapsi.al.

Shpërndaje: