Lexoje këtu nëse e ke me ngut!
Prej 10 shkurtit të këtij viti, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj ndodhet në qeli, ndërsa ndaj tij vijojnë hetimet për korrupsion. Ndërkohë, kryeministri Edi Rama ende nuk ka marrë një vendim nëse pas 7 muajsh nga burgosja e Veliajt, duhet që ta çojë bashkinë më të madhe në vend në zgjedhje të parakohshme apo jo.
Në lidhje me këtë temë, kryeministri Rama është pyetur gjatë intervistës në emisionin “Opinion”, por përsëri nuk ka dhënë një përgjigje konkrete. Ai shprehet se ende “nuk e di”, duke theksuar se së pari po diskuton me persona të tjerë se si duhet ta trajtojë këtë situatë.
“Nuk e di këtë do ta shohim në vijim, nuk e di. Nuk e di. Unë kam kërkuar që të shikojë një sërë opinionesh për të kuptuar se si duhet trajtuar kjo gjë” – tha Rama.
Rama është pyetur edhe me angazhimin e tij në disa bashki të vendit, ku u shkarkuan drejtorë dhe punonjës. I pyetur nëse po merr edhe kontrollin e pushtetit lokal, Rama tha se kryetarët e bashkive janë të PS dhe se ishte detyrë e tij për t’u treguar se nuk po bëjnë punën që janë votuar nga qytetarët.
“Në pushtetin lokal e kemi në mos gaboj në 50 e ca bashki… Janë kryetar bashkie të PS ata. Nuk ka pavarësisht, është varësisht. Nuk ka pavarësisht kur gjërat vijnë në pikën që drejtorët e bashkive dhe jo vetëm drejtorët e bashkive, por edhe drejtorët e qeverisë në bashki bëhen problemi kryesor për sytë e atyre që na kanë votuar…
Kur kryetari i bashkisë nuk e zgjidh atëherë ne, PS që i kemi dhënë atij kryetari besimin dhe unë patjetër që si një njeri që i kam borxh Vlorës dhe Durrësit që më kanë dhënë voton pasivisht dhe sa të jem në politik do të jem edhe deputeti i Vlorës dhe i Durrësit.
Unë nuk shkarkoj, shkarkimet i bëjnë ata, por unë kam detyrimin që t’u them e dëgjoni çfarë thotë populli. Unë u them që këtyre njerëzve duhet të largohen, duhet t’u kërkohet dorëheqja. Dhe duhet të hapet gara, siç ndodhi në Vlorë, që të gjithë ata që duhet të kontribuojnë të bëjnë përpjekjen e tyre” – tha Rama. /LAPSI.al
The post A do ketë zgjedhje të parakohshme në Tiranë? Flet kryeministri Rama appeared first on Lapsi.al.
