Lexoje këtu nëse e ke me ngut!
Policia ka goditur një grup kriminal që rekrutonte vajza nga vendet e Amerikës Latine e Azia Qendrore dhe i detyronin të ushtronin prostitucion në Shqipëri.
Operacioni u realizua në bashkëpunim me Prokurorinë dhe Policinë Kombëtare të Kolumbisë, Policinë Kroate, EUROPOL dhe EUROJUST, ku u lëshuan 19 masa sigurie, 9 në Shqipëri dhe 10 në Kolumbi.
Në Kolumbi është arrestuar dhe organizatori i rrjetit, Lucas Betankur, 25 vjeç.
Në Shqipëri u vunë në pranga: Assel Adrysheva, Rostyslav Mieshkov, Denis Berisha, Mirel Shperdheja, Dritan Sukaj, Ilmar Gugashi dhe Kejvin Ndreu.
Ndërkohë, u shpallen në kërkim 2 shtetas të tjerë, pjesëtarë të grupit kriminal.
Po ashtu janë proceduar penalisht për ushtrim prostitucioni 48 shtetase të huaja, pjesa më e madhe e të cilave ishin akomoduar në një hotel në rrugën “Reshit Collaku”.
Si funksiononte grupi kriminal
Kolumbiani Lucas Betankur kishte rolin kryesor në rekrutimin e vajzave nga vendet e Amerikës Latine dhe organizimin e udhëtimit dhe akomodimit të tyre në Shqipëri, ku më pas detyroheshin të ushtronin prostitucion. Në rast se ndonjë nga shtetaset refuzonte të vazhdonte këtë veprimtari, mbajtja e vajzave bëhej me anë të forcës dhe kanosjes ndaj tyre e familjarëve në Kolumbi, duke përfshirë edhe persona të afërt.
Ndërkohë, Denis Berisha, bashkëpunonte me organizatorin kolumbian duke siguruar kushtet logjistike për akomodimin dhe menaxhimin e rrjetit.
Një nga të arrestuarit, shtetasi me iniciale K. P., mblidhte të ardhurat e përfituara nga aktiviteti kriminal dhe i transferonte ato nëpërmjet kriptovalutave, në llogaritë e 25-vjeçarit kolumbian.
Një nga të arrestuarit, 35 vjeçari Ilmar Gugashi, kishte përshtatur një hotel në rrugën “Reshit Collaku”, në Tiranë, duke e shndërruar në vend për ushtrim prostitucioni nga vajzat e trafikuara. Në këtë hotel shfrytëzoheshin për prostitucion disa shtetase me origjinë nga Kazakistani dhe i strehonin në këtë hotel.
Ndërkohë, Denis Berisha sigurohej për shpërndarjen e lëndëve narkotike për disa nga vajzat dhe lehtësonte kontaktet me klientët.
The post Goditet grupi që trafikonte vajza për prostitucion nga Amerika Latine në Shqipëri, 19 masa sigurie appeared first on GIJOTINA.
