“Do flas me drejtuesit”: Milinkovic gati dorëheqjen, Bordin euforik: “E stërmerituam”

Shpërndaje:

Lexoje këtu nëse e ke me ngut!

“Nuk e di pse ndodhin disa gjëra, sikur jemi të mallkuar. Ndodhën disa gjëra që nuk i deshëm. Goli i parë, u dëmtuan Hoxha dhe Preka. Ishin zëvendësime të detyruar që nuk i deshëm. Po mundohem të gjej arsyen pse këto 2 muaj po ndodhin këto gjëra. Nuk mund të them që lojtarët nuk deshën, dhanë maksimumin, por në futboll ndonjëherë kjo nuk është e mjaftueshme”. Mladen Milinkovic nuk gjen arsye logjike për të shpjeguar serinë prej 5 humbjesh radhazi në kampionat të Partizanit të tij. Tekniku serb rrezikon ta gjejë veten në fundin e renditjes, në përfundim të javës së 6 të Superiores dhe në këtë pikë dorëheqja nuk është larg.

Madje, Milinkovic jep sinjale të qarta të asaj cfarë mund të ndodhë në fundjavë: “Kur humbet gjithkush mund të ketë mendimin e vetë. Formacioni ka të bëjë me formën aktuale të lojtarëve. Do të flas me bordin, do të të dëgjoj çfarë kanë për të thënë, nuk është e lehtë, sepse kjo është një situatë që përsëritet javë pas jave”.

Lexo më tej: Partizani bie në Ballsh, Bylis e përmbys me tris: Milinkovic në vendin e tetë

Tekniku del hapur dhe nxjerr problemet në sipërfaqe ashtu si nuk kishte bërë kurrë: “Përveç problematikës së lëndimeve, shqetësuese është dhe forma e lojtarëve. E kemi shumë të vështirë të përzgjedhim 11-shen. Ka shumë lojtarë që janë jashtë formës për momentin dhe nuk po kontribuojnë për ekipin”.

Bordin dilematik: “Por nëse do të jemi të lumtur vetëm për një derbi…”

“E filluam nga pjesa e dytë e ndeshjes me Dinamon, e kishim thënë që këtu do të ishte rinisja jonë. Sot e stërmerituam që të fitonim këtë derbi. Ndaj fitorja u kushtohet atyre, presidentit e mbi të gjitha tifozëve që e kanë mbështetur ekipin”. Roberto Bordin nuk e fsheh lumturinë për triumfon në derbi, që është edhe fitorja e parë sezonale e Tiranës.

Tekniku italian e kupton më së miri rëndësinë e kësaj fitoreje në derbin me rivalin e përjetshëm: “Një ndeshje vendimtare se fitoret japin entuziazëm, vetëbesim, ndërgjegjësim. Mbrojtëm shumë mirë, nuk lejuam kurrë gjuajtje në portë dhe përtej fazës ofensive dhe kundërzbritjeve, djemtë mbrojtën me karakter dhe kurajë”. Bordin megjithatë e di se vetëm kaq nuk mjafton, duhet që rezultateve ti japë vazhdimësi, në mënyrë që renditja të përmirësohet ndjeshëm: “Ishte ndeshje e mirë, ishim të përqendruar deri në fund të ndeshjes dhe jam i lumtur se është një derbi i rëndësishëm për të gjithë. Për mua ishte shumë emocionues. Jam shumë i lumtur por sonte i gëzohemi kësaj fitoreje dhe kthehemi pas disa ditësh pushime që të kthehemi edhe më të fortë se sa më parë. Por nëse do të jemi të lumtur vetëm për një derbi… ky është momenti të konsolidojmë punën në vijim”.

The post “Do flas me drejtuesit”: Milinkovic gati dorëheqjen, Bordin euforik: “E stërmerituam” appeared first on Lapsi.al.

Shpërndaje: