Del Piero e Di Canio thonë të vërtetën e hidhur për Tudor e Juven: listë me mangësi

Shpërndaje:

Lexoje këtu nëse e ke me ngut!

Alessandro Del Piero e ndoqi ndeshjen Juventus–Milan nga studioja e Sky, dhe gjykimi që jep për paraqitjen e bardhezinjve dhe mënyrën se si Tudor e ka kuptuar (ose do të donte ta kuptonte) skuadrën është jashtëzakonisht realist, i drejtpërdrejtë dhe i ashpër. “Pinturicchio” e lë mënjanë zemrën dhe në ndërhyrjen e tij pas ndeshjes në emisionin “Club” bën një listë mangësish, gabimesh taktike e teknike, dhe vëzhgimesh që burojnë nga një analizë shumë e kthjellët e asaj që pa.

“Juve ka bërë 5 barazime radhazi, shumë prej tyre kanë ardhur në mënyrë të çuditshme, por edhe fitorja ndaj Inter erdhi në mënyrë të çuditshme.” Reflektimi i parë mjafton për të kuptuar thelbin e analizës: skuadrës i mungon soliditeti dhe personaliteti që për vite me radhë kanë karakterizuar identitetin e ‘zonjës së vjetër’, e që tani, përkundrazi, janë humbur. Në thelb, nuk kuptohet se çfarë është ky Juventus, sepse ndoshta as vetë trajneri nuk ka një ide të qartë, sidomos kur fjala vjen te sulmi.

Lexo më tej:Pulisic gabon penalltinë, David e Leao shpërdorojnë: Juve-Milan i dobët mbyllet 0-0

“Kush është më i përshtatshëm për të luajtur atje përpara te Juventus? Nuk ka asnjë lojtar të përshtatshëm për momentin.” Një tjetër gjykim i prerë, që bëhet edhe më i ashpër teksa ai vijon arsyetimin. “Është si një batanije e shkurtër. U jep besim të gjithëve, i mban brenda, por kështu humbet vazhdimësinë dhe identitetin. Sot nuk ka njëmbëdhjetëshe titullare të mirëfilltë dhe në sulm Tudor ende nuk i ka idetë e qarta. Për më tepër, sulmuesve u vijnë shumë pak topa për të shënuar”.

Di Canio e nxjerr jashtë luftës për titull

Në të njëjtën linjë është edhe Paolo Di Canio, i cili është edhe më i ashpër në vlerësimin e tij për skuadrën. “Juve nuk mund të synojë titullin. Në këtë skuadër mungon shpejtësia e mendimit dhe e zbatimit, si edhe cilësia. Mungon një Modric. Loja mungon, dhe nëse Yildiz ngec, bëhet e vështirë. Conceiçao mban topin shumë. Mungon cilësia në depërtimet e krahëve. Këta lojtarë janë krejt normalë për nivelet e larta. David dhe Openda janë lojtarë normalë për nivele të rëndësishme. Edhe sulmuesit po vuajnë.”

Dhe Tudor, çfarë thotë? Vendos menjëherë një pikë të qartë. Zemra nuk mjafton për të fituar. Sidomos nëse synon të mbash nivelin lart. “Ndoshta mund të fitosh edhe me zemër, por duhet të kesh gjithçka – tha ai për DAZN. – Ajo kundër Milan ishte një ndeshje siç e prisnim, një ndeshje e vështirë kundër një skuadre të fortë, një pikë, në fund e marrim… donim të fitonim, krijuam diçka, krijuan edhe ata, në përgjithësi barazimi është real.” Më e qartë se kaq? Apo jo.

The post Del Piero e Di Canio thonë të vërtetën e hidhur për Tudor e Juven: listë me mangësi appeared first on Lapsi.al.

Shpërndaje: