Reagimi i OSBE pas vrasjes së gjyqtarit Kalaja: Sulmet ndaj gjyqtarëve janë sulme ndaj shtetit të së drejtës

Shpërndaje:

Lexoje këtu nëse e ke me ngut!

OSBE ka reaguar pas ngjarjes tragjike që ndodhi në ambientet e Gjykatës së Apelit në Tiranë, ku u vra gjyqtari Astrit Kalaja dhe mbetën të plagosur dy persona të tjerë.

Në një deklaratë zyrtare, Prezenca e OSBE-së në Shqipëri shpreh tronditjen dhe dhimbjen e thellë për aktin e dhunës që ndodhi brenda një institucioni të drejtësisë.

“Jemi thellësisht të tronditur dhe të hidhëruar nga të shtënat me armë brenda Gjykatës së Apelit në Tiranë, që i morën jetën gjyqtarit Astrit Kalaja dhe plagosën dy persona të tjerë,” – thuhet në reagimin e OSBE-së.

Organizata shpreh ngushëllimet për familjen dhe kolegët e gjyqtarit Kalaja, ndërsa të plagosurve u uron shërim të shpejtë. Ajo dënon ashpër aktin e dhunës, duke e cilësuar një sulm të drejtpërdrejtë ndaj shtetit të së drejtës dhe institucioneve demokratike.

“Sulmet kundër gjyqtarëve janë sulme të drejtpërdrejta ndaj shtetit të së drejtës dhe institucioneve demokratike. Prezenca e OSBE-së dënon me forcë këtë akt të dhunshëm,” – theksohet më tej.

Ndërsa hetimet për rrethanat e plota të ngjarjes janë ende në vijim, OSBE mirëpret arrestimin e shpejtë të autorit të dyshuar dhe thekson rëndësinë e një procesi të drejtë dhe efikas ligjor për vënien e drejtësisë.

“Prezenca solidarizohet me komunitetin gjyqësor të Shqipërisë dhe mbetet e përkushtuar të mbështesë përpjekjet që forcojnë sigurinë dhe pavarësinë e sistemit gjyqësor,” – përfundon deklarata.

The post Reagimi i OSBE pas vrasjes së gjyqtarit Kalaja: Sulmet ndaj gjyqtarëve janë sulme ndaj shtetit të së drejtës appeared first on GIJOTINA.

Shpërndaje: