Gjykata Kushtetuese ngrihet dhe Presidenca bie

Shpërndaje:

Lexoje këtu nëse e ke me ngut!

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për të pezulluar zgjedhjet vendore në Tiranë është një lajm i mirë për demokracinë dhe shtetin shqiptar. Ajo tregon se jo të gjitha institucionet e shtetit shqiptar janë tërësisht të servilizuara përballë halleve dhe tekave politike të kryeministrit që shpesh në mënyrë skandaloze shpërfill llogjikën juridike dhe institucionale të shtetit. 

Natyrisht që ky vendim do ngjallë debat mes juristëve. Natyrisht që nuk do mungojnë të rreshtuarit përkrah pushtetit që do ta kritikojnë atë. Ekzistojnë plot nene, ligje dhe interpretime që mund të përthyhen sipas dëshirave të pushtetit, dhe akoma më shumë jurist, këshillëtarë, media dhe gazetarë që janë të gatshëm ti thonë pushtetit atë që dëshiron të dëgjojë.

Ama një gjë është e pamohueshme; përtej detajeve dhe interpretimeve juridike, vendimi i Gjyakatës Kushtetuese bazohet tek një llogjikë sa e thjeshtë aq edhe çarmatosëse. Si mund të zhvillohen zgjedhje për kryetarin e Bashkisë së Tiranës kur ai e ka ankimuar shkarkimin e tij në Gjykatë Kushtetuese?

Kushtetuesja i prish lojën Ramës, anulohen zgjedhjet e 9 nëntorit në Tiranë

Ndonëse për institucionet dhe nëpunësit e shtetit tonë kryeministror është e paimagjinueshme që Gjykata Kushtetuese të japë një vendim që bie ndesh me hallin politik të kryeministrit, teorikisht ekziston mundësia që Gjykata Kushtetuese ta hedhë poshtë shkarkimin e kryebashkiakut Veliaj. Në një skenar të tillë Bashia e Tiranës do kish përfunduar me dy kryetar bashkie një të certifikuar nga Gjykata Kushtetuese dhe një nga zgjedhjet lokale.

Nuk është e nevojshme të jesh jurist dhe as të njohësh me detaje nenet e Kushtetutës për të kuptuar se është absurde mbajtja e zgjedhjeve për një kryetar të ri bashkie ndërkohë që institucionalisht dhe jurdikisht nuk është vulosur ende fati i kryetarit aktual. Ndonëse fati i Erjon Velijat si politikan është në dorë të kryeministrit, fati institucional i Erjon Veliajt si Kryetar Bashkie është në dorë të Gjykatës Kushtetuese.

Kjo e fundit u ngrit në lartësinë e detyrës së saj si roje e Kushtetutës dhe e parimeve themelore të ndarjes së pushteteve për të deklaruar se vullneti politik, qoftë ky edhe i kryeministrit Rama, duhet ti nënshtrohet Kushtetutës, dhe jo anasjelltas. Dhe ky është një nga ato lajme sa të rralla aq dhe të mira për demokracinë dhe shtetitn tonë.

Natyrisht skeptikët do thonë që nuk duhet të gëzohemi shumë sepse nesër kur kjo gjykatë ta shqyrtojë në themel çështjen Veliaj ajo me siguri do japë një vendim sipas midesë së kryeministrit. Ndoshta, por ajo që mund të ndodhë nesër nuk zhbën faktin që sot Shteti dhe Kushtetuta shqiptare shënoi një fitore, edhe pse bëhet fjalë për një fitore të hidhur.

Është një fitore e hidhur, sepse vendimi i Gjykatës Kushtetuese çertifikoi përfundimisht rënien e institucionit të presidencës dhe të zyrtarit kryeministror që është punësuar aty.  

Të gjitha rastet kur presidenti Begaj është sjellë si shërbëtor i Ramës

Zelli dhe shpejtësia me të cilën Presidenti Begaj dekretoi datën e zgjedhjeve e habiti opinionin publik me nivelin e tepruar të servilizmit ndaj kryemnistrit. Aq sa vetë Rama u detyrua të deklarojë publikisht se nuk i kish bërë presion Presidentit. Pra servilzimi politik i këtij të fundit ishte inciativë personale.

Natyrisht që dolën plot jursitë dhe këshillëtarë të Presidentit që filluan të justifikojnë vendimmarrjen e tij me interpretime, ligje dhe nene të ndryshme nga ato që citonin kritikët. Për pasojë hapësirat e ekraneve dhe mediave u pushtuan nga debati juridik mes atyre që sulmonin dhe atyre që mbronin kushtetueshmërinë e vendimmarrjes së Presidentit. 

Sot ky debat ka marrë fund. Pezullimi i dekretit të Presidentit Begaj nga Gjykata Kushtetuese është prova përfundimtare se ky dekret binte ndesh me Kushtetutën. 

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese nxjerr zbuluar llogjikën politike dhe jo kushtetuese mbi të cilën u bazua vendimi i Presidentit.  Ai tregon se nxitimi i pakërkuar i Begajt për ti dekretuar datën e zgjedhjeve të parakohëshme kënaqte oreksin politik të Ramës dhe jo parimet e Kushtetutës.

Për të nxjerrë në pah një të vërtetë të tillë Gjykatës Kushtetuese iu desh të ngrihej në lartësinë e detyrës së saj, cka na bën krenar të gjithëve si qytetarë shqiptar. Fatkeqësisht ishte po kjo lartësi kushtetuese që na rrëzoi presidencën, duke e reduktuar presidentin Begaj në një ministër më shumë të qeverisë Rama.

Shkruar enkas për Lapsi.al nga Blendi Kajsiu 

The post Gjykata Kushtetuese ngrihet dhe Presidenca bie appeared first on Lapsi.al.

Shpërndaje: