Lexoje këtu nëse e ke me ngut!
Rexhep Rraja, djali i ish deputetit socialist Rrahman Rraja rezulton të ketë qenë drejtuesi i njërit prej grupeve të goditura për trafik ndërkombëtar droge sipas dosjes së SPAK, bazuar në komunikimet e SKY ECC. Dosja, pjesë të së cilës qarkullojnë në media, ngre akuza për 3 grupe kriminale, që kishin trafikuar 2.4 tonë marjuanë e kokainë drejt vende të Bashkimit Europian. Në krye të njërit prej tyre qëndronte djali i deputetit të PS, Rexhep Rraja i cili ishte porositësi dhe organizatori i trafikimit të 236 kg bimë narkotike marijuanë në Kapikile të Turqisë më datë 26 janar 2021.

SPAK ka zbardhur të gjitha bisedat mes anëtarëve të grupit, përplasjet mes tyre pas sekuestrimit të drogës në doganë, deri tek dyshimet për tradhtarë mes radhëve të tyre.
Anëtarë të grupit ishin edhe dy pjesëtarë të tjerë të fisit Rraja, Përparim Rraja pronari i gurores në Borizanë për të cilën u dhunuan dy kushërinjtë Maja, si edhe Gazmir Rraja. Ndërkohë, anëtarët e tjerë ishin Bujar Sefa (alias Xaka) Agim Nina (alias Lorenc Selmani) Jani Çavo, Aldo Gjini (alias Iamandi), Sokol Qaja, Marvin Bushati dhe Elton Bogdani, ky i fundit shoferi që ka transportuar lëndën narkotike me kamion.
Rama më i votuari nga PS në Durrës, pas e ndjek Rrahman Rraja
Përgjimet zbulojnë trafikun e drogës në vitet 2020 dhe 2021, ishte koha kur Partia Socialiste përgatitej të hynte në zgjedhjet e prillit 2021 për të fituar mandatin e tretë. Kryeministri kandidoi vetë në Vlorë dhe në Durrës, si për t’i dhënë një shtysë të fortë partisë në të dy qarqet e mëdha. Në ato zgjedhje Rama mori personalisht 10 mijë e 66 vota, ndërsa pas tij, dalloi kandidati i Krujës, Rrahman Rraja, babai i Rexhepit.
Rrahman Rraja, deputeti që bënte vota pa bërë politikë
Në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit 2021 në Qarkun Durrës, Rrahman Rraja rezultoi i dyti më i votuari në listën e Partisë Socialiste me 7 mijë e 475 vota.

Rrahman Rraja nuk ishte një deputet tipik. I heshtur në parlament dhe po aq i heshtur në fushatë, ai nuk dallohej për mitingje të bujshme dhe as për dalje publike të shpeshta. Por pavarësisht profilit të ulët që mbajti, gjithnjë siguronte vota. Shumë vota. Më shumë se çdo kandidat tjetër socialist në qark, përjashto kryeministrin.
Për dikë që merret me politikë kjo është anomali. Për atë që njeh terrenin është e qartë se Rrahman Rraja nuk kishte nevojë për shumë oratori. Pas tij qëndronte një familje me ndikim në zonën e Niklës, mes tyre, emra të akuzuar për trafik ndërkombëtar droge dhe pjesëmarrje në grupe kriminale, që rast pas rasti ishin imponuar me reputacionin dhe lidhjet politike.
Në një nga prononcimet publike, kur mediat e lidhnin me një personazh kriminal me mbiemrin Rraja, deputeti socialist deklaronte se në Nikël ishin rreth 170 vetë që kishin mbiemrin e tij. Ai nuk mund të mbante përgjegjësi për secilin prej tyre.
Por përgjimet Sky ECC të djalit të tij, Rexhep Rraja nxjerr në dritë një lidhje të drejtpërdrejtë me trafikun e drogës, pikërisht gjatë kohës që ai përfaqësonte Partinë Socialiste. Ndaj rezultati elektoral i Durrësit në 2021, tani lexohet ndryshe.
Emri i Rexhep Rrajës në trafikun e marijuanës
Episodi që përfshin Rexhep Rrajën, i dokumentuar në dosjen e SPAK është ai i datës 26 janar 2021 në pikën kufitare Kapikule të Turqisë, ku autoritetet sekuestruan 236 kilogramë kanabis të fshehur në tavanin e një kamioni me targa shqiptare. Në bisedat e përgjuara, të zbardhura në dosje, shihet qartë hierarkia dhe nervi i operacionit.
Gazmir Rraja informon grupin në kohë reale, “O vëlla, ajo rruga që patëm nis ka hy mbrëm në dogan nga ora tetë e darkës, na lajmëroi se jam tu hy, ene jan tu më fut në kontroll fizik”. Fjalia që pason mes trafikantëve hedh dyshime se droga është kapur. “Ka hy mbrëm në tetë të darkës e s’ka dal ala”. Gjasat janë që kësaj radhe policia të ketë bërë punën e vet, shprehet një prej trafikantëve: “Nëntëdhjet e nëntë përqind ne menojm se ka ra”.

Në këtë moment shfaqet edhe figura e Rexhep Rrajës si njeriu që shqetësohet për detajet që mund ta fundosin grupin. Në një mesazh drejtuar Jani Çavos, ai shkruan i irrituar, “O vlla na fiket mor burr, ca jan kto muhabete”, dhe menjëherë kërkon siguri për gjurmët, “A jan pastru ca jan perdor dmth”. Dyshimet e SPAK janë se Rexhep Rraja është në rolin e drejtuesit të grupit që trafikonte marijuanën.
Dosja shkon edhe më tej në raste të tjera të trafikut. Në një episod të mëparshëm, më 23 nëntor 2020, autoritetet holandeze sekuestruan 475 kilogramë kokainë në portin e Vlissingen, të fshehura në një ngarkesë bananesh nga Ekuadori. Në komunikimet Sky ECC që lidhen me këtë rast, njëri prej të përfshirëve i referohet hapur takimeve me “djalin e deputetit” duke iu referuar Rexhep Rrajës, megjithatë SPAK ka vazhduar me zbardhjen e mënyrës së si funksiononte skema për t’i ndarë trafikantët në tre grupe dhe vetëm njëri prej këtyre drejtohej nga Rexhep Rraja.
Historia e Xhisielës, shteti ktheu kokën mënjanë për Rrajat
Rexhep Rraja ishte një personazh i famshëm mediatik, përpara episodeve të trafikut të drogës që ka zbardhur SPAK në dosje. Emri i tij kishte dalë në një histori tjetër, edhe më tronditëse që ishte denoncimi i Xhisiela Malokut në vitin 2018.
‘Çmendet’ Rama, kërcënon nënkomisarin: Nuk do t’i ndahemi këmba këmbës atij horri…
Është historia e pushtetit që mbyllte njërin sy për dhunën barbare mbi një vajzë jetime.
Për dhunën dhunën fizike dhe psikologjike ndaj saj, Xhisiela Maloku e drejtoi gishtin tek ish-i dashuri i saj Rexhep Rraja dhe fisi i tij. Por përballë denoncimeve të vajzës, policia ishte e paralizuar. Rrajat ishin të paprekshëm.

Përpjekja e parë për denoncim dhe kërcënimi për vrasje “Mbaj mend që para Vitit të Ri kam shkuar në Komisariatin numër 6 në Tiranë dhe kam bërë kallëzim. Unë sa po jepja kallëzimin, e tërhoqa dhe firmosa një deklaratë që u sqaruam për problemet tona. Unë e tërhoqa sepse shtetasi Rexhep Rraja më kërcënoi se do më vriste. Ata janë fis kriminelësh, rrinë gjithmonë me pistoletë. Unë nuk e kam babanë, më është vrarë në vitin 1997. Jetoj me mamin dhe motrën” tregonte Xhisiela Maloku.
“Nga fillimi i vitit 2018, unë kam shkuar në Komisariatin e Krujës për të bërë kallëzim, po nuk e kam bërë. Kam firmosur një deklaratë tek inspektori i zonës, shtetasi Sabri Dani. Këtë deklaratë e ka firmosur edhe motra ime A. Maloku. Te deklarata kemi shkruar se nuk kemi probleme dhe i kemi sqaruar konfliktet. Aty më doli një person tullac dhe m’u prezantua si shefi i madh dhe më tha: ‘Ai që të do, të rreh’. Atë ditë më kishte rrahur shumë Rexhepi. Mbaj mend që isha bërë me gjak” shpjegonte ajo duke vazhduar: “Më datën 19.07.2018 më kishte parë në rrugë dhe më mori në telefon e më tha: ‘Hajde më tako se dua të sqarohemi’. Unë shkova e takova te puna e tij, në rrugën Fushë-Krujë – Vorë, përballë hotel ‘Boçi’. Filloi të ulërinte me fjalë dhe më kapi për flokësh. Më mori telefonin dhe ma theu. Më pas u nis me makinë drejt hotel ‘Boçi’. Unë nuk pranova të shkoj lart në hotel me të, por më mori duke më bërë presion me anën e pistoletës.”
Dëshmia e plotë e Xhisielës: Dy orë nuk e firmosa deklarimin, por ma mbanin pistoletën në kokë
Dhe më tej, brenda hotelit: “Gjatë kohës që ndenjëm në hotel më gjuajti me shpulla, me grushte dhe më drejtoi pistoletën. Më dogji me cigare në kofshë dhe më goditi në pjesën e kokës me pistoletë. Mua më ra të fikët dhe u përmenda më vonë. Nuk më kujtohet a kryem marrëdhënie seksuale.”
Kërcënimet në ambientet e policisë: “Nuk guxoja të dilja nga zyra e oficerit, se ishin disa persona të tjerë dhe ma bënin me shenjë që do të vrasim në qoftë se nuk tërheq kallëzimin. Personat rrinin në ambientet e Policisë Fushë-Krujë.”
“Më nxirrnin jashtë zyrës dhe i thoshin oficerit ‘Na e lër ne se e rregullojmë’ dhe më çonin te makina, duke më goditur me grushte në bark dhe më vendosnin pistoletën në kokë. Pastaj nuk kisha zgjidhje tjetër dhe firmosa deklarimin. Nuk e lexova fare se çfarë ishte shkruar aty. Dua të them që Rexhepi e mbante pistoletën në brez edhe gjatë kohës që unë isha te zyra e oficerit të SHKB-së në Durrës.”
Rrahjet dhe dhuna pas denoncimeve në polici: “Rreth orës 20:00 ka ardhur te banesa ime, në fshatin Nikël, shtetasi Rexhep Rraja, Ramazan Rraja dhe shtetasi Redjan Rraja dhe më kanë marrë me zor duke më thënë: ‘Na hape punë. Për çfarë ke shkruar përsëri në Komisariatin e Policisë Nr.3 në Tiranë dhe na ke kallëzuar?’ Rexhepi më kapi nga flokët dhe më gjuajti me shkelma e më futi në makinën e tij. Më thoshte: ‘Do e tërheqësh denoncimin ose do të të vrasim’. Më vendosi në bark pistoletën. E mbushi dhe më tha: ‘Sot nuk ke shpëtim se na ke hapur shumë punë’.”
Denoncimi i Xhisiela Malokut ishte një akuzë e fortë për shtetin që ishte gjunjëzuar përballë të fortëve që ndihmonin Partinë Socialiste në zgjedhje. Përballë këtij skandali, reagimi i kryeministrit Edi Rama ishte një justifikim bajat se të paktën Rexhep Rraja u arrestua. Në vend të largonte nga detyra policët që i shërbenin Rrajave, kaloi në përgënjeshtrimin e vajzës së dhunuar: “Policia ka bërë detyrën, pa i bërë asnjë favor djalit të deputetit” shprehej kryeministri duke dalë kundër Xhisielës.
Debati u mbyll shpejt tek një histori dhune mes dy të rinjve. Nuk u hap hetim për policët që ishin bërë palë me Rrajat, për presionet e pretenduara. Nuk pati asnjë reflektim për dështimin e sistemit.
Historia e Emiljano Nuhut, policit që u sulmua nga Edi Rama
Situata u komplikua kur ish oficeri i policisë gjyqësore Emiljano Nuhu doli publikisht dhe foli për atë që kishte ndodhur në komisariatin e Krujës. Ai konfirmoi deklaratat e Xhisiela Malokut dhe deklaroi se ishte kërcënuar me armë në komisariatin e Fushë Krujës për të mos arrestuar Rexhep Rrajën.
Ai shpjegoi se, pas marrjes së kallëzimit nga Xhisiela, njoftoi Rexhep Rrajën që të paraqitet në stacionin e policisë Fushë Krujë. “Kam njoftuar shtetasin Rexhep Rrahja që të paraqitej në stacionin e policisë Fushë Krujë për të vazhduar veprimet hetimore. Ky shtetas është paraqitur rreth orës 19:30, në zyrën time.”
Pas konsultimit me prokuroren e gatshme, ai mori urdhër për arrestimin e Rexhepit. “I kam komunikuar që ti sot do të arrestohesh për këto vepra penale.”
Banditët e Krujës, fytyra e pushtetit të Edi Ramës (VIDEO)
Pak minuta më vonë, sipas Nuhut, situata ndryshon rrënjësisht. Zyra e policit u kthye në një skenë presioni. “Për rreth 30 minuta ka ardhur aty prezent babai i tij, shtetasi Rrahman Rrahja, i shoqëruar nga kryetari i bashkisë Artur Bushi, i shoqëruar nga deputeti Taulant Balla, i shoqëruar nga vëllai i tij Xhelal Rrahja.”
Në zyrë, sipas tij, ndodh momenti më i rëndë. “Rrahman Rrahja më tha, nuk ke shanse të arrestosh djalin tim. Xhelal Rrahja më tha, ‘Nuk ke shanse të arrestosh Rexhepin sot, nuk del i gjallë nga zyra’.”
“Ligjin e bëjmë ne, e shkrijmë komisariatin”, si u kërcënua polici Nuhu nga nipat e deputetit
Rrëfimi i Nuhut arrin kulmin kur përshkruan kërcënimin e drejtpërdrejtë me armë. “Në këto momente ka nxjerrë një pistoletë dhe ma ka vënë në kokë dhe më ka thënë, ‘Hiqi duart dhe s’do flasësh me asnjë njeri në telefon dhe këto gjëra do të mbeten vetëm këtu në zyrë, përndryshe do të zhduk’.”
Akoma më të rëndë e bënte situatën, prania në të njëjtën zyrë e deputetit Taulant Balla që sipas policit shoqëronte Rrajat: “Gjithcka ndodhi në prani të vëllait të tij, deputetit Taulant Balla, dhe kryetarit të bashkisë Artur Bushi. Taulanti me Arturin i thanë, ‘Hiqe pistoletën nga koka e oficerit se është djalë i mirë, oficeri nuk i bën ato gabime. Ata dolën nga zyra ime dhe e morën. Unë ngela i vetëm, nuk kisha çfarë të bëja kundër atyre personave.”
Kur Nuhu kërkoi ndihmë nga eprorët përgjigjia ishte akoma më e rëndë: “I thashë shefit të komisariatit që më kanosën me armë në zyrë dhe e morën nga zyra. Më tha, ‘mere me qetësi, mos u mërzit’.”
Një dëshmi e tillë, duhej të ngrinte në këmbë të gjithë shtetin, por reagimi i kryeministrit Edi Rama çuditërisht ishte kundër policit. Rama doli garant se kjo histori nuk kishte ndodhur në këtë mënyrë, se Nuhu kishte për synim të merrte azil jashtë vendit dhe iu kthye ashpër ish-policit që tashmë ishte arratisur jashtë vendit. Kryeministri e quajti Emiljano Nuhun “një horr i kthyer në hero” nga opozita dhe shtoi se “Nuk do t’i ndahemi këmba këmbës atij horri”. Në vitet në vazhdim, Rama ruajti një marrëdhënie shumë të mirë me Rrajat dhe siç dihet Rrahmani e shpërbleu duke marrë mbi 7 mijë vota për Partinë Socialiste.
Kur të gjitha faktet lidhen në një vijë logjike, që nga mbrojtja politike që u siguroi Rama Rrajave në vitin 2018, në kundërsulmin e kryeministrit ndaj policit Emiljano Nuhu dhe në rezultatin elektoral të Rrahman Rrajës në 2021, kohë në të cilën Rexhep Rraja kalonte kamionët me kanabis, atëherë bëhet legjitime pyetja: A ishin reagimet e Edi Ramës një llogari e ftohtë elektorale, pasi Rrajat kishin në duar paratë e drogës? A u përdorën paratë e trafikut të kanabisit dhe kokainës për të blerë votat e Rrahman Rrajës për Partinë Socialiste?
“Unë kam parë kamerat”/ Rama del garant për ngjarjen në Komisariatin e Krujës
Në bisedat e zbardhura nga SPAK nuk ka ende një bisedë që të tregojë se paratë e kanabisit dhe të kokainës u derdhën drejtpërdrejt në fushatën e Partisë Socialiste në Durrës. Por tashmë është konfirmuar disa herë aleanca me bandat që sjellin vota, si çelësi që shpjegon pse pushteti i mbyll sytë përballë mëkateve të krimit, ndonjëherë sulmon edhe viktimën apo baltos policinë për të mbrojtur një trafikant droge që sot del në dosje të rënda kriminale./Lapsi.al
The post Kamionët me kanabis për votat e PS/ Pse Rama ishte me Rrajat para zgjedhjeve appeared first on Lapsi.al.
