Me heshtje, borina dhe thirrje të mbushura me emocione, qyteti i Selanikut i dha të enjten në mbrëmje lamtumirën shtatë tifozëve të PAOK-ut që humbën jetën në një aksident rrugor pranë Timisoarës në Rumani.
Një avion i forcave të armatosura greke mbërriti në Selanik me shtatë arkëmorte, që mbanin trupat e pajetë të viktimave, të cilët u pritën nga mijëra qytetarë dhe tifozë. Arkëmortet u dërguan për një parakalim të fundit në rrugët pranë stadiumit “Toumba”, ku ultrasit ndezën flakadanë dhe përkujtuan viktimat me lot dhe thirrje.
Karvani që shoqëroi trupat drejt stadiumit kaloi nëpër rrugët kryesore të Selanikut, duke përfshirë Bulevardin e Shkollës Bujqësore, Rezistencës Kombëtare, Mbretëreshës Olga, rrugën Voulgari, Bulevardin Konstantinos Karamanlis dhe rrugën Kleantus.
Të shtatë tifozët, të moshës 20-30 vjeç, humbën jetën kur furgoni me të cilin udhëtonin nga Selaniku për në Lyon u përplas “kokë më kokë” me një kamion. Mes viktimave ishte edhe shqiptari Vasil Pilo. Tre tifozë të tjerë mbijetuan, përfshirë Genci Sadikun, gjithashtu me origjinë shqiptare.
The post VIDEO/ Selaniku i jep lamtumirën e fundit tifozëve të PAOK-ut që humbën jetën në Rumani appeared first on Euronews Albania.
