Federata Shqiptare e Futbollit ka publikuar vendimet e Komisionit të Disiplinës dhe Etikës ku bie në sy dënimi i zyrtarit të KF Egnatia, Klejdi Zenelaj. Ai është ndëshkuar me 4 ndeshje pezullim nga aktiviteti dhe me gjobë 100.000 lekë për deklarata publike fyese dhe denigruese ndaj institucioneve sportive dhe zyrtarëve të ndeshjes, duke shkelur parimet e etikës sportive dhe nenet 8/1, 13 dhe 14/6 të Kodit të Disiplinës dhe Etikës. Në zbatim të nenit 6/5 të KDE, KF Egnatia mban përgjegjësi solidare për mbulimin e detyrimeve monetare të zyrtarëve të klubit.
Për sjellje të gabuar të spektatorëve, KF Vora është gjobitur me 50.000 lekë, ndërsa FK Bylis për vonesa në fillimin e ndeshjes ka marrë po ashtu një gjobë 50.000 lekë. AF Elbasani është ndëshkuar me gjobë 200.000 lekë për përdorimin e koreve fyese nga spektatorët, ndërsa zyrtari i klubit, Maringlen Çoku, është pezulluar për 6 muaj nga të gjitha aktivitetet e organizuara nga FSHF dhe i ndalohet hyrja në stadiume deri në përfundim të dënimit.
FK Apolonia është gjobitur me 500.000 lekë për vonesa dhe sjellje të gabuar të spektatorëve, ndërsa klubi paralajmërohet se në rast përsëritjeje do të përballet me masa disiplinore më të rënda. K.S. Korabi ka marrë paralajmërim për sjelljen e gabuar të spektatorëve, duke iu referuar rregulloreve të FSHF dhe Kodit të Disiplinës.
Zyrtari i FC Besa, Romeo Bishdili, dhe zyrtari i KF Vllaznia Femra, Oliver Matija, janë pezulluar për 4 ndeshje për sjellje josportive ndaj zyrtarëve të ndeshjes, ndërsa lojtari i KF Gramozi, Ardjol Zaka, ka marrë të njëjtin dënim për sjellje të ngjashme. FC Lushnja është gjobitur me 50.000 lekë për sjellje të gabuar të spektatorëve, me gjobën e aplikuar në masën 50%.
Apolonia B, për braktisjen e ndeshjes kundër KF Përmeti në Kampionatin Kombëtar të Kategorisë së Tretë, është gjobitur me 100.000 lekë dhe humbet ndeshjen në tavolinë me rezultatin 3-0, gjobë e aplikuar në masën 10%.
Komisioni ka vendosur gjithashtu të çelë hetim disiplinor për incidentet e ndodhura në ndeshjen KF Oriku – Eagle Football.
The post Vendimet e disiplinës/ Ndëshkohet zyrtari i Egnatias, FSHF çel hetim për Oriku – Eagle Football appeared first on Euronews Albania.
