Një “stuhi perfekte” ka goditur Vélodromin. Vetëm pak ditë pas largimit të trajnerit Roberto De Zerbi, Olympique de Marseille ka mbetur edhe pa drejtorin sportiv. Medhi Benatia ka dhënë dorëheqjen, duke mbyllur një cikël të rëndësishëm drejtues në klubin francez.
“Klubi para njerëzve”
Vendimi i Benatias, i marrë të hënën (9 shkurt), u bë publik përmes një letre të gjatë në rrjetet sociale. Ish-kapiteni i Marokut theksoi se largohet për të mos u kthyer në pengesë në një moment tensionesh të larta rreth menaxhimit të klubit.
“Klubi do të vijë gjithmonë para individëve dhe nuk dua që situata ime të bëhet barrë për OM”, shkroi ai, duke nënvizuar se transparenca dhe përgjegjësia kanë udhëhequr vendimin e tij.
Keqardhje dhe presion i lartë
Benatia u shpreh se largohet me ndërgjegje të pastër, pasi ka punuar për ta rikthyer Marsejën në elitën e futbollit francez. Megjithatë, ai pranoi se nuk arriti të qetësojë atmosferën e tensionuar rreth ekipit.
“Po largohem me keqardhjen që nuk kam qenë në gjendje të qetësoj klimën rreth grupit”, deklaroi ai, duke lënë të kuptohet se presioni i madh nga ambienti dhe tifozët ndikoi në stabilitetin e brendshëm të klubit.
Brenda një jave, OM humbi si trajnerin ashtu edhe drejtorin sportiv, duke hyrë në një fazë delikate të sezonit.
Objektivat mbeten: Champions dhe Kupa e Francës
Pavarësisht krizës në drejtim, Benatia theksoi se objektivat sportivë janë ende të arritshëm. Gara për një vend në Ligën e Kampionëve mbetet e hapur, ndërsa skuadra është ende në lojë në Kupën e Francës.
Ai u bëri thirrje tifozëve të vazhdojnë mbështetjen për ekipin, ndërsa drejtuesit e klubit pritet të nisin menjëherë kërkimin për një strukturë të re drejtuese për të stabilizuar situatën dhe për të shpëtuar sezonin.
The post Tërmet në Olympique de Marseille: Dorëhiqet Medhi Benatia, pas largimit të Roberto De Zerbi appeared first on Euronews Albania.
