Ministria greke e Kulturës ka shpallur monument të mbrojtur, arkivin e plotë fotografik të 200 komunistëve të ekzekutuar gjatë Luftës së Dytë Botërore në Kaisariani të Athinës. Ministria greke thekson se ky arkiv ka vlera të jashtëzakonshme historike.
Vendimi erdhi pas një rekomandimi nga Këshilli Qendror i Monumenteve Moderne. Me këtë vendim, shtetit i jepet një bazë formale për të kërkuar dhe përvetësuar koleksionin.
Ministrja greke e Kulturës, Lina Mendoni i përshkroi 12 fotografitë që tregonin burrat e dënuar pak para ekzekutimit të tyre, më 1 maj 1944, si dëshmi jashtëzakonisht të rëndësishme të historisë moderne greke. Sipas saj ky arkiv u jep një fytyrë njerëzore dëshmive të patriotizmit të tyre.
“Të gjitha imazhet e tjera në arkiv janë gjithashtu shumë të rëndësishme”, shtoi ministrja duke shpjeguar se ato përshkruajnë Greqinë e pushtuar nga perspektiva e pushtuesve nazistë dhe pasqyrojnë makinerinë propagandistike të Joseph Goebbels.
Fotografitë u shfaqën në eBay.de më 14 shkurt, të ofruara nga koleksionisti belg Tim de Craene, i cili specializohet në memorabiliet e Luftës së Dytë Botërore. Pas reagimit të fortë publik në Greqi, 12 imazhet u tërhoqën nga shitja të hënën, megjithëse arkivi më i gjerë mbetet në shitje.
Sipas listës së ankandit, materiali u gjet në një album që i atribuohet rreshterit të ushtrisë gjermane Hermann Hoyer, i cili ishte i stacionuar me një njësi të bazuar në Malakasa, në verilindje të Athinës, gjatë pushtimit.
Ekspertët e Ministrisë së Kulturës kanë kontaktuar shitësin dhe pritet të zhvillojnë një takim në Belgjikë të premten për të shqyrtuar koleksionin si pjesë e përpjekjeve për ta siguruar atë për shtetin grek.
The post Arkivi i fotove të ekzekutimeve gjatë Luftës së Dytë Botërore në Athinë shpallet monument i mbrojtur appeared first on Euronews Albania.
