MAMA “Mother Nature”/ Veprat e artistëve nga 50 vende të botës ekspozohen në COD

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Veprat e artistëve nga 50 vendeve të botës ekspozohen së bashku në Qendrën për Hapje dhe Dialog. Projekti artistik ndërkombëtar MAMA “Mother Nature”, vjen si reflektim mbi natyrën si burim jete, kujtese dhe përgjegjësie në një kohë sfidash globale, dhe përqendron vëmendjen mbi marrëdhënien tonë me natyrën.

“Kjo ekspozitë është një shembull i përkryer se si arti shkon përtej kufijve në dëshirën tonë për të mbrojtur natyrën.

Emri “Mama”, fjala “Mama”, në fakt është një nga fjalët e para që shqiptohet nga çdo qenie njerëzore. Ideja është të tregojë se nuk ka forcë në Tokë më të fortë se forca e dashurisë, sidomos dashuria e nënës ndaj fëmijës.

Në natyrë, një kafshë do të sakrifikonte jetën e saj për të mbrojtur të vegjlit e saj. Kjo tregon se dashuria e një nëne për fëmijën është në fakt më e fortë se instinkti i mbijetesës”, tha Leyla Aliyeva, Presidente e Heydar Aliyev Center.

Mes personaliteteve, artistëve shqiptarë dhe të huaj, njerëz të kulturës dhe artit, i pranishëm ishte edhe kryeministri Edi Rama.

“Është privilegj, të kemi këtë kombinim të pranisë së një personi që është plotësisht i përkushtuar ndaj mbrojtjes së natyrës dhe një ekspozite ku ka shumë artistë, përfshirë edhe vetë Leilën.

Është privilegj sepse ajo është një forcë e natyrës ajo ka hapur një rrugë të re në miqësinë dhe marrëdhënien tonë duke sjellë kulturën”, tha Rama.

Kjo ekspozitë pasqyron marrëdhënien tonë të përbashkët me botën natyrore: jo si vëzhgues të largët, por si banorë, për të cilët jeta, kujtesa dhe e ardhmja janë të pandashme nga Toka e gjallë.

Tirana është ndalesa e radhës për MAMA “Mother Nature” pas ekspozimeve të saj në Baku, Romë, Manama, Londër, Tbilisi dhe Berlin dhe do të qëndrojë e hapur deri më 17 mars.

The post MAMA “Mother Nature”/ Veprat e artistëve nga 50 vende të botës ekspozohen në COD appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: