Departamenti Amerikan i Shtetit, DASH pas takimit të Sekretarit Amerikan të Shtetit, Marco Rubio dhe Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani ka dalë me një njoftim. Në njoftim DASH ka zbuluar detaje nga takimi teksa thekson se Rubio ka falënderuar Osmani dhe popullin e Kosovës që u bënë anëtare themeluese e Bordit të Paqes.
Gjithashtu theksohet se SHBA presin me padurim të punojnë me Qeverinë e re për të çuar përpara agjendën e përbashkët të paqes, stabilitetit dhe prosperitetit ekonomik rajonal.
“Sekretari i Shtetit Marco Rubio u takua me Presidenten e Kosovës Vjosa Osmani-Sadriu, një partnere e përkushtuar në Ballkanin Perëndimor. Sekretari falënderoi Presidenten Osmani dhe popullin e Kosovës si anëtare themeluese e Bordit të Paqes dhe për kontributin në Forcën Ndërkombëtare të Stabilizimit në Gaza.
Shtetet e Bashkuara presin me padurim të punojnë me qeverinë e re të Kosovës për të çuar përpara agjendën tonë të përbashkët të paqes, stabilitetit dhe prosperitetit ekonomik rajonal”, thuhet në njoftimin e lëshuar nga Departamenti amerikan.
Osmani gjithashtu ka ndarë të premten detaje nga takimi me Rubion në një postim në “Facebook” ku sipas saj u diskutuan mundësitë për forcimin e aleancës mes dy vendeve.
“Në 18-vjetorin e lidhjes së marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara, ishte nder i veçantë që sot u prita në Departamentin Amerikan të Shtetit nga Sekretari i Shtetit, Marco Rubio.
Diskutuam mundësitë për forcimin e aleancës sonë, si dhe hapat konkretë në këtë drejtim që kanë rëndësi jetike për popullin tonë. Në veçanti, e falënderova për përfshirjen e Kosovës në Bordin e Paqes, për mbështetjen vendimtare amerikane për sovranitetin dhe integritetin territorial të Kosovës, si dhe për prezencën ushtarake amerikane në Kosovë si prezencë kyçe për paqen e stabilitetin në rajon.
Diskutuam për rëndësinë e madhe të anëtarësimit të Kosovës në NATO, si dhe për hapjen e kapitujve të ri të bashkëpunimit në ekonomi e mbrojtje, si pjesë e partneritetit tonë strategjik.
Krah për krah me Shtetet e Bashkuara, mbetemi të përkushtuar ndaj forcimit të paqes dhe sigurisë, adresimit të sfidave të përbashkëta globale dhe avancimit drejt integrimit euroatlantik të Kosovës”, shkroi Osmani.
The post Takimi Osmani-Rubio, DASH: SHBA mezi pret të punojë me qeverinë e re për paqen dhe stabilitetin rajonal appeared first on Euronews Albania.
