Rilindja e “Djajve të Kuq”, Manchester United rikthehet në garë

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

“Më në fund erdhi koha.” Kështu e nis analizën e tij në La Gazzetta dello Sport gazetari Stefano Agresti, duke përshkruar kthesën e shumëpritur të Manchester United.

Pas një dekade zhgënjimesh dhe investimesh marramendëse, klubi anglez duket se po rikthehet në vendin që i takon për nga historia, të ardhurat dhe fama, të paktën në Premier League. Në dhjetë vitet e fundit, “Djajtë e Kuq” kanë shpenzuar më shumë se çdo klub tjetër në botë për merkato, me një diferencë negative mes të ardhurave dhe shpenzimeve që ka kaluar 1.1 miliardë euro. Megjithatë, rezultatet në fushë kanë qenë larg pritshmërive.

Që prej sezonit 2016-2017, kur nën drejtimin e Jose Mourinhos fituan një nga tre trofetë dhe u renditën të gjashtët, United ka përjetuar më shumë zhgënjime sesa suksese, duke dështuar të ndërtojë një projekt të qëndrueshëm sportiv.

Pika e kthesës erdhi në janar 2026, kur drejtimi i skuadrës iu besua Michael Carrick. Që nga ajo kohë, forma e ekipit ka ndryshuar ndjeshëm: katër fitore në pesë ndeshjet e fundit në kampionat, suksese të rëndësishme në derbi dhe ndaj Arsenalit, si dhe ngjitja në vendin e katërt në renditje.

Pas një sezoni dramatik të mbyllur në vendin e 15-të, rikthimi në zonën e Ligës së Kampionëve përfaqëson jo vetëm një ringritje për klubin nga Old Trafford, por edhe një zhvillim me peshë për ekuilibrat e futbollit anglez.

The post Rilindja e “Djajve të Kuq”, Manchester United rikthehet në garë appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: