“E vazhdojmë historinë së bashku”, Al-Sailiya firmos me Michail Antonio pas rikthimit nga aksidenti i rëndë”

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Klubi i Al-Sailiya, i renditur i 10-ti në ligën e Katarit, njoftoi të hënën në mbrëmje transferimin e sulmuesit 35-vjeçar xhamajkan Michail Antonio, golashënuesit më të mirë në historinë e West Ham me 83 gola në 323 ndeshje.

Për ndërkombëtarin xhamajkan (24 ndeshje, 5 gola), kjo është kontrata e parë pas aksidentit të rëndë automobilistik në dhjetor 2024, kur makina e tij u përplas me një pemë teksa kthehej nga stërvitja. Antonio pësoi disa fraktura në kofshë, iu nënshtrua ndërhyrjes kirurgjikale dhe qëndroi mbi tre javë në spital.

Klubi nga Katari publikoi njoftimin përmes rrjeteve sociale, duke shpërndarë momente nga golat dhe stërvitjet e sulmuesit, ndërsa detajet financiare dhe kohëzgjatja e kontratës nuk u bënë publike.

Antonio u rikthye në fushë në qershor, duke hyrë si zëvendësues në minutën e 85-të për Xhamajkën në humbjen 0-1 ndaj Guatemalës në fazën e grupeve të Kupës së Artë. Disa javë më vonë, ai u largua nga West Ham, klub ku luante prej vitit 2015, pasi drejtuesit vendosën të mos ia rinovonin kontratën.

The post “E vazhdojmë historinë së bashku”, Al-Sailiya firmos me Michail Antonio pas rikthimit nga aksidenti i rëndë” appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: