Dhuna në familje rikthehet në qendër të debatit në Maqedoninë e Veriut, kërkohen masa ligjore më të forta

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Maqedonia e Veriut u përball sërish me raste të dhunës në familje, ku viktima ishin gra dhe fëmijë, duke rritur shqetësimin për efektivitetin e institucioneve në mbrojtjen e tyre. Vetëm pak ditë më parë, një ngjarje tragjike në Shkup la të vdekur një nënë dhe vajzën e saj pas një dhune sistematike.

Në një rast tjetër të mëhershëm, policia arrestoi një dhunues që kishte shkaktuar lëndime të rënda ndaj bashkëshortes dhe fëmijëve të mitur. Ngjarjet e tilla kanë rikthyer në qendër të debatit publik nevojën për masa ligjore më të forta dhe mekanizma mbrojtës për viktimat.

“Heshtja e institucioneve mori shumë jetë njerëzish, para së gjithash të grave. Tashmë nuk flasim vetëm për të drejtat e grave, por për sigurimin e jetës së tyre. Dorëzuam në Parlament propozim për ndryshime në Ligjin për parandalimin e dhunës familjare dhe dhunës me bazë gjinore, ku parashikohet vendosja e hallkës elektronike tek dhunuesit. Ajo do të japë alarm kur dhunuesi gjendet pranë viktimës”, Monika Zajkova

Ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, nënvizoi se shpesh viktimat, pasi denoncojnë dhunën dhe dhunuesi arrestohet, më pas tërheqin deklaratën, shpesh nën presion.

“Sot kemi dy të arrestuar. Por shpesh viktimat, pasi kanë denoncuar dhe dhunuesi është arrestuar, tërheqin deklaratën. Ky është problemi më i madh, shpesh nën presion të dhunuesit. Nuk mund t’i fajësojmë ata, por duhet të gjejmë zgjidhje institucionale për të trajtuar këto ngjarje”, thotë Pançe Toshkovski.

Ministria e Punëve të Brendshme ka bërë thirrje të vazhdueshme që qytetarët të mos hezitojnë të denoncojnë dhunën në familje. Vetëm këtë vit janë regjistruar katër viktima të dhunës që përfunduan me vdekje, duke nxjerrë në pah nevojën për ndërhyrje më efektive dhe mbikëqyrje institucionale të fenomenit.

The post Dhuna në familje rikthehet në qendër të debatit në Maqedoninë e Veriut, kërkohen masa ligjore më të forta appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: