Gazetarja Alba Kepi, në një lidhje të drejtpërdrejtë nga Italia për emisionin “Review” me Greta Topjanën, shpjegoi qëndrimin që po mban qeveria italiane ndaj zhvillimeve të fundit në Lindjen e Mesme dhe konfliktit me Iranin. Sipas saj, kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka zgjedhur një linjë të kujdesshme politike, duke theksuar se Italia nuk mbështet dhe as nuk dënon konfliktin, pasi sipas saj mungojnë instrumentet e nevojshme për të kuptuar plotësisht situatën, veçanërisht në lidhje me rrezikun bërthamor.
Kepi theksoi se Meloni ka deklaruar publikisht se Italia nuk është në luftë dhe nuk synon të përfshihet në një konflikt të tillë, por po përpiqet të minimizojë pasojat dhe të krijojë hapësirë për diplomaci. Megjithatë, në të njëjtën kohë, vendi mbetet i përfshirë në mekanizmat e sigurisë së aleancave perëndimore, pasi një anije luftarake italiane, në bashkëpunim me Francën, Britaninë e Madhe dhe Gjermaninë, është pozicionuar pranë brigjeve të Qipros për shkak të tensioneve që kanë prekur edhe territorin europian.
Sipas gazetares, një tjetër çështje që po diskutohet gjerësisht në Itali lidhet me rolin e bazave ushtarake amerikane dhe të NATO-s në territorin italian. Vëmendja është përqendruar në faktin se në Itali ndodhen rreth 120 baza ushtarake, disa prej të cilave kanë edhe kapacitete bërthamore, ndërsa qeveria ka sqaruar se çdo përdorim i tyre në një konflikt të mundshëm duhet të kalojë përmes vendimit të qeverisë dhe parlamentit italian.
“Pak çaste më parë ka reaguar kryeministrja italiane Giorgia Meloni. Ajo ka thënë shumë qartë se Italia as nuk e mbështet dhe as nuk e dënon konfliktin në Iran, sepse – sipas saj – nuk ka instrumentet e duhura për ta kuptuar plotësisht situatën, duke iu referuar edhe rrezikut nuklear. Madje ajo ka theksuar se asnjë vend tjetër europian nuk e ka dënuar këtë konflikt, përveç Spanjës. Në një video që ka publikuar menjëherë pas komenteve të Donald Trump në të përditshmen italiane ‘Corriere della Sera’, Meloni ka theksuar se Italia nuk është në luftë dhe nuk synon të jetë kurrë në luftë. Italia, sipas saj, po përpiqet të reduktojë sa më shumë pasojat e konfliktit dhe të gjejë hapësira për diplomacinë. Megjithatë, ndërkohë një anije luftarake italiane, në bashkëpunim me Francën, Britaninë e Madhe dhe Gjermaninë, është pozicionuar pranë brigjeve të Qipros, pasi ky konflikt ka prekur edhe territorin europian, për shkak të një incidenti në një bazë ushtarake në Qipro. Në Itali, vëmendja është përqendruar edhe tek bazat ushtarake amerikane dhe të NATO-s që ndodhen në territorin italian. Flitet për rreth 120 baza, pa llogaritur ato sekrete, dhe dy prej tyre – një në Trieste dhe një në rajonin e Lombardisë – janë baza me arsenal bërthamor. Diskutimi në Itali është se sa aktive mund të jenë këto baza në rast përshkallëzimi të konfliktit. Ministri i Jashtëm Antonio Tajani ka deklaruar se asnjë veprim nga këto baza nuk mund të ndërmerret pa një vendim të qeverisë dhe pa miratimin e dy dhomave të parlamentit italian. Në të njëjtën kohë ka ndryshuar edhe mënyra e komunikimit të Donald Trump me mediat europiane. Pas deklaratave të zëdhënëses së Shtëpisë së Bardhë që kërkonte mbështetje nga aleatët europianë, Trump ka bërë komente për media të rëndësishme europiane dhe ndërkombëtare, duke u përpjekur të tërheqë vëmendjen e aleatëve që nuk po e mbështesin aq sa ai dëshiron. Në Itali, komenti i tij për Giorgia Melonin është interpretuar në dy mënyra: nga njëra anë si një vlerësim për rolin e saj si aleate e SHBA-së dhe nga ana tjetër si një kërkesë e hapur për mbështetje. Kjo ka sjellë reagime nga opozita italiane, veçanërisht nga Partia Demokratike, e cila i ka kërkuar Melonit të sqarojë nëse Italia po mbështet apo jo këtë konflikt”, tha gazetarja.
The post “Po mban linjë të kujdesshme”, gazetarja shqiptare në Itali: Meloni shmang përfshirjen në luftë appeared first on Euronews Albania.
