Flamurtari siguroi një fitore të rëndësishme të dielën ndaj Vllaznisë, duke triumfuar me rezultatin minimal 1-0 në një ndeshje të vështirë që u vendos që në pjesën e parë. Në minutën e 35, Bolzan shfrytëzoi një asist të Maksutit për të dërguar topin në rrjetë dhe për të dhënë avantazhin skuadrës vlonjate.
Pavarësisht përpjekjeve të ekipit të Edi Martinit për të barazuar rezultatin, Vllaznia nuk arriti të ndryshonte shifrat, dhe ndeshja përfundoi 1-0 në favor të Flamurtarit. Ky sukses rikthen rivalitetin për titull, pasi Vllaznia sheh që Elbasani, pas fitores ndaj Tiranës, i afrohet vetëm me dy pikë në klasifikim. Java e 27 do të përfundojë këtë të hënë me dy ndeshjet e mbetura: Dinamo-Partizani dhe Egnatia-Teuta.
Pas kësaj fitore, klubi vlonjat njoftoi largimin e trajnerit Francesco Moriero. Në një komunikim zyrtar, Flamurtari theksoi se bashkëpunimi me trajnerin italian përfundoi me mirëkuptim të plotë dhe e falënderoi për përkushtimin, profesionalizmin dhe kontributin e tij ndaj ekipit dhe klubit. Moriero kishte munguar për tre javë me arsyetimin për probleme të shëndetit, dhe vendimi i largimit u finalizua këtë të hënë.
The post Flamurtari fiton ndaj Vllaznisë dhe njofton largimin e trajnerit Moriero appeared first on Euronews Albania.
