Gjithkush që ankohet nga mëngjesi në darkë, nëpër kafene, për një shoqëri apatike dhe jo reaguese, tani ka mundësinë që ta braktisë për një ditë ritualin e zakonshëm dhe të shpenzojë, gati të njëjtën tarifë, për të parë në teatrin “Turbina” shfaqen më të re të Arben Kumbaros, “Drejtësi në Nuremberg”.
Ky eposod nga gjyqet kundër nazistëve përçon një mesazh të thjeshtë : faji për katastrofën, për diktaurën dhe krimet kundër njerzimit, nuk qe vetëm i Hitlerit dhe atij grushti njerzish që kishte përreth, por edhe i elitave qe e mbështen dhe i asaj pjese të popullësisë që u konformua me regjimin. Personazhi kryesor, Ernst Jening (i luajtur nga Alfred Trebicka), është një ish jurist kalibri, ish minister drejtesie i Hitlerit, i cili pasi i shkarkua, u rikthye të punojë si gjykatës, ku dha vendime politike pa prova. Në një nga momentet kulmore të dramës ai rrëfen se nuk e kishte imagjinuar se ku do të çonte ky sistem i padrejtë.
Por gjykatësi amerikan, Dan Ajvud (Muzafer Zifla) i përgjigjet me një koncept të fortë:
“Krimi filloi ditën kur ju dënuat një njeri që e dinit se ishte i pafajshëm”, duke përforcuar idenë se tragjeditë e mëdha nisin nga kompromise të vogla morale.
Por, kufiri mes përgjegjësisë kolektive dhe asaj morale nuk është i vetmi lajtmotiv i kësaj vepre që rezonon fort edhe për ditët e sotme. Kushtet që prodhojnë forcimin e ekstremit të djathtë, dilema nëse ligji duhet zbatuar edhe kur ai është i padrejtë, rishikimi politik i krimeve naziste në optikën e re të luftës së ftohtë, kur armiku ishte zhvendosur në kampon sovjetik, janë tema që gjithashtu të bëjnë të mendosh.
Pikërisht për këtë vepra e Abby Mann, e risjellë në skenë nga Arben Kumbaro, konsiderohet si një nga dramat politike më të rëndësishme të shekullit XX. Dhe forca e saj qëndron më mesazhin qe jep: se krimet e mëdha ndodhin atëhere kur: njerëzit e zakonshëm i nënshtrohen heshtjes, kur institucionet nuk mbrojnë drejtësinë, kur inelektualë apo njerëz të arsimuar ndjekin urdhra pa reflektuar.
Kjo është dhe arsyeja se përse, cilido që ankohet gjatë ditës për apatinë qytetare dhe nënshtrimin e shoqërisë, mund ti drejtohet një mbrëmje teatrit, për të parë shfaqen e Arben Kumbaros dhe trupës së tij (Myzafer Zifla, Alfred Trebicka, Indrit Çobani, Viktor Zhusti, Elia Zaharia,Neritan Liçaj, Sokol Angjeli, Donald Shehu etj). Me sigiri që do kishte shumë pëelr të mësuar dhe shijuar në fundjavën e ardhshme (nga 12 deri në 15 mars).
©Lapsi.al
The post Drama/ Një proces kundër nazistëve si reflektim për sot appeared first on Lapsi.al.
