Një projekt kryesor shëndetësor në Afrikë po anulohet për shkak të shkurtimeve të ndihmës. Zyra e Jashtme e Komonuelthit dhe Zhvillimit theksoi se programi Global i Fuqisë Punëtore Shëndetësore, GHWP i cili mbështeti zhvillimin dhe trajnimin e stafit të kujdesit shëndetësor në gjashtë vende afrikane, do të mbyllet në fund të muajit.
“Ky është një vendim vërtet historik dhe Mbretëria e Bashkuar tani rrezikon të lëshojë terren në shëndetësinë globale që do të luftojë për ta rikuperuar”, tha Ben Simms, drejtor ekzekutiv i Global Health Partnerships, i cili drejtoi programin.
Që nga lançimi i tij, GHWP është theksuar nga ministrat dhe zyrtarët si një përpjekje për të rritur gatishmërinë globale për pandeminë duke forcuar sistemet kombëtare shëndetësore dhe një mënyrë për të përmbushur detyrimet morale të Mbretërisë së Bashkuar për të investuar në vendet nga të cilat rekruton një numër të madh stafi për NHS-në dhe kujdesin social.
Programe të ngjashme kanë funksionuar që nga viti 2008. Skema aktuale përfshinte projekte në Ganë, Kenia, Nigeri, Etiopi, Malavi dhe Somaliland. Kontrata e saj aktuale trevjeçare duhej të përfundonte këtë muaj, por pritej të rinovohej, ashtu si me versionet e mëparshme.
Qeveria laburiste njoftoi vitin e kaluar se do të ulte fondet e ndihmës jashtë vendit nga 0.5% në 0.3% të PBB-së me qëllim rritjen e shpenzimeve ushtarake. Kjo pasoi një ulje të mëparshme nga 0.7% nën kryeministrinë e Boris Johnson.
The post Qeveria britanike ndërpret projektin global të shëndetësisë, shkak shkurtimi i ndihmave appeared first on Euronews Albania.
