Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku përmes një postimi në “Facebook” ka reaguar lidhur me ftesën që ka marrë nga kryeministri i vendit, Albin Kurti për çështjen e zgjedhjes së presidentit. Abdixhiku ka theksuar se ka pranuar ftesën por shtoi se takimi do të mbahet vetëm pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
“Kam falënderuar Kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje z. Kurti për ftesën për takim për çështjen e Presidentit. E kam njoftuar se do t’i përgjigjem pozitivisht kësaj ftese në ditën e parë pas verdiktit të Gjykatës Kushtetuese”, shkruan Abdixhiku.
Ai thekson se çështja e zgjedhjes së presidentit është në shqyrtim nga Gjykata Kushtetuese dhe se duhet të presin vendimin.
“Duke qenë se çështja e zgjedhjes së Presidentit është tashmë në shqyrtim të Gjykatës Kushtetuese, duhet të kuptojmë se koha jonë politike ndalon përkohësisht, ndërsa koha e dëgjimit kushtetues merr fjalën në pavarësinë e saj.
Duke respektuar këtë rend, pa procese të tjera politike paralele, i bëjmë nder jo vetëm vetes, por edhe Republikës dhe institucioneve që janë ndërtuar me shumë mund”, shtoi Abdixhiku.
Ai ka shtuar se vendimi i Gjykatës Kushtetuese duhet pritur me qetësi dhe respekt institucional, ndërsa pas shpalljes së tij mund të zhvillohen edhe takimet politike.
“Verdikti i Gjykatës duhet pritur me respekt të plotë institucional dhe me qetësi politike. Një orë pas verdiktit, mund të takohemi sërish”, ka përfunduar Abdixhiku.
The post Takimi për presidentin, Abdixhiku i përgjigjet Kurtit: Pas verdiktit të Gjykatës Kushtetuese appeared first on Euronews Albania.
