Nga një njeri i zakonshëm me sfida shëndetësore, sot kampion shqiptar në powerlifting dhe me synime për rekorde botërore. Kjo është historia e Mbarim Mehmetit, i cili e nisi rrugëtimin e tij në moshën 36-vjeçare dhe tashmë synon të hyjë në librin e rekordeve Guinness.
“Do ngre 200 kg me dy gishta”, thotë ai ndërsa shton se qëllimi i tij është të jetë shqiptari më i fortë i të gjitha kohërave.
Mehmeti tregon se rrugëtimi i tij nuk ka qenë aspak i lehtë.
“Rrugëtimin tim e kam nisur në moshën 36-vjeçare. Kam qenë një njeri normal dhe kam punuar në kurbet. Më pas u ktheva dhe pata problem me hernien diskale; për 2-3 vite nuk lëvizja. Gjatë kësaj kohe pashë disa ëndrra që në fillim nuk u besoja se do të bëheshin realitet: që unë do të merresha me stërvitje.”
Ai rrëfen se gjithçka ndryshoi në vitin 2019.
“Në vitin 2019 gjeta veten në palestër. Fillova të ngrija pesha, të stërvitesha 3-4 orë në ditë dhe bëja shumë sporte, përfshirë powerlifting.”
Sot, ai ka arritur rezultate të jashtëzakonshme.
“Kam ngritur deri në 400 kg, një ngarkesë që quhet ‘trabar’ në disa federata botërore. Mbaj rekorde për moshën dhe kategorinë time. Për 14 vite më kanë thënë se nuk kam shanse, por unë jam i çmendur për sportin tim. Sot jam 44 vjeç, por nuk ndihem kështu.”
Emocionet, sipas tij, janë pjesë e pandashme e suksesit.
“Nuk më impresionon asgjë tjetër, por kur ngre një peshë që më ka mundur për dy vite, lotët më rrjedhin natyrshëm.”
Pavarësisht arritjeve, Mehmeti thotë se rruga e tij sapo ka nisur.
“Fitoren më të madhe? Unë sapo e kam nisur. Do të thyej tabu dhe rekorde në shumë sporte. Kam nisur nga zero dhe kam vendosur të konkurroj me të rinjtë. Powerlifting dhe bodybuilding janë pasioni im. Jam 100% natyral.”
Ai thekson se është kampion në çdo garë ku ka marrë pjesë në Shqipëri.
“Kam konkurruar dhe jam kampion shqiptar në powerlifting në çdo kompeticion që është zhvilluar; nëse do të kisha marrë pjesë në të fundit, do të fitonim gjithashtu.”
Mehmeti tashmë garon edhe në arenën ndërkombëtare.
“Jam garues internacional. Të shtunën kam ndeshje me Serbinë dhe garoj me shtytjen e shtangës në gjoks. Energjia ime vjen nga Zoti dhe nga nevoja për të treguar se mundem.”
Stërvitja për të është një përkushtim i përditshëm.
“Stërvitem 2-6 orë në ditë dhe besoj se do të arrij të bëhem kampion edhe në peshëngritje.”
Objektivi i radhës është i qartë:
“Qëllimi im është të thyej Rekordin Guinness: 300 kg për 5 minuta, duke kombinuar forcën me rezistencën.”
Ai jep edhe disa detaje personale për regjimin e tij sportiv.
“Unë jam 1.70 m, 72 kg dhe garoj në powerlifting. Regjimi im nis në 6 të mëngjesit. Fitoret nuk i numëroj dot. Veten e konsideroj pak më lart se sportist gjysmë-profesionist; luftëtari brenda meje nuk ndalet.”
Në fund, ai ngre edhe një shqetësim për sportin në vend.
“Sporti në Shqipëri nuk vlerësohet si duhet dhe nuk ka federatë për sportet e forcës, por unë dua të bëj histori.”
The post Nga problemet shëndetësore në kampion powerlifting-u, historia e shqiptarit që synon Rekordin Guinness appeared first on Euronews Albania.
