Konflikti në Lindjen e Mesme, BE ngurron të përfshihet: Lufta nuk bazohet tek ligji ndërkombëtar

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Evropa vazhdon të jetë e pavendosur sa i takon rolit eventual të saj në konfliktin në Lindjen e Mesme. Të mbledhur në Bruksel për samitin e radhës, liderët evropianë janë shprehur ngurrues për një përfshirje të mundshme.

Nga ana e tij, presidenti Emmanuel Macron u bëri thirrje të gjitha palëve që të ndalin sulmet ndaj infrastrukturës energjetike, të cilat i quajti “të papërgjegjshme”.

“Të gjithë duhet të qetësohen dhe luftimet të ndalen, të paktën për disa ditë, për t’u dhënë një shans negociatave”, tha Macron.

Ndërsa Përfaqësuesja e Lartë, Kaja Kallas deklaroi se Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli dështuan në justifikimin e përdorimit të forcës ndaj Iranit.

“Ne nuk i dimë objektivat e kësaj lufte, e cila nuk bazohet tek ligji ndërkombëtar. Forca përdoret në dy raste: njëri për vetëmbrojtje dhe tjetri në bazë të një rezolute të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Për momentin nuk ndodhemi në asnjë nga këto situata”, tha Kallas.

Kancelari gjerman Friedrich Merz konfirmoi ndërkohë gatishmërinë e tij për të ndihmuar Lindjen e Mesme, por vetëm atëherë kur aktet armiqësore të kenë marrë fund.

“Ne do të përfshihemi vetëm atëherë kur armët të jenë ulur. Gjithashtu, për të vepruar do të na duhet edhe një mandat ndërkombëtar, të cilin aktualisht nuk e kemi”, tha Merz.

Ndërsa kryeministri spanjoll Pedro Sanchez përsëriti kritikat në adresë të dyshes SHBA-Izrael, duke i quajtur sulmet e tyre ndaj Iranit “të paligjshme”.

“Le të mbrojmë rendin ndërkombëtar të bazuar tek rregullat dhe jo tek ligji i më të fortit. Le të mbrojmë një agjendë konstruktive me vendet e tjera, qofshin Shtetet e Bashkuara dhe le të qëndrojmë përkrah atyre që vuajnë nga shkelja e ligjit ndërkombëtar, siç është rasti i Ukrainës dhe i Palestinës”, tha Sanchez.

Reagimet e liderëve evropianë vijnë pak ditë pas kërkesës së presidentit amerikan Donald Trump, që të përfshiheshin në sigurimin e Ngushticës së Hormuzit, një kërkesë që deri më sot është refuzuar.

The post Konflikti në Lindjen e Mesme, BE ngurron të përfshihet: Lufta nuk bazohet tek ligji ndërkombëtar appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: