Prokurorët dhe përfaqësues të sistemit të drejtësisë në Itali kanë reaguar me emocione të forta pas publikimit të të dhënave të para të referendumit për reformën në drejtësi, ku kampi kundër ndryshimeve ka dalë në avantazh.
Mes këngës simbolike “Bella Ciao” dhe momenteve të forta emocionale, figura të njohura të drejtësisë janë shfaqur duke festuar rezultatin paraprak. Alessandra Maddalena është parë duke qarë, ndërsa Ettore Ferrara feston rezultatin. Në sfond shfaqet edhe gjyqtari Pierluigi Picardi, ndërsa prokurori Antonello Ardituro i bashkohet atmosferës duke kënduar.
Referendumi për drejtësinë në Itali ka prodhuar një rezultat të qartë paraprak, ku “Jo”-ja kryeson me rreth 55% të votave, duke refuzuar ndërhyrjet e propozuara në sistemin e drejtësisë.
Pas publikimit të këtyre rezultateve ka ardhur edhe reagimi i kryeministres italiane, Giorgia Meloni. Në një videomesazh të shpërndarë në rrjetet sociale, ajo theksoi se qeveria do të respektojë plotësisht vullnetin e qytetarëve.
“Italianët kanë vendosur. Dhe ne e respektojmë këtë vendim. Do të ecim përpara, siç kemi bërë gjithmonë, me përgjegjësi, vendosmëri dhe respekt ndaj popullit italian dhe Italisë,” u shpreh Meloni.
Deklarata e saj erdhi menjëherë pas konfirmimit të trendit të rezultatit, i cili shënon një fitore për kampin kundër reformës në drejtësi. Megjithatë, kryeministrja la të kuptohet se qeveria do të vijojë angazhimin e saj politik, duke theksuar stabilitetin dhe vazhdimësinë e qeverisjes, pavarësisht verdiktit të qytetarëve.
The post VIDEO/ Prokurorët në Itali përloten nga gëzimi për fitoren e referendumit në drejtësi, momenti kur këndojnë “Bella Ciao” appeared first on Euronews Albania.
