I ftuar në Euronews Albania, me gazetaren Mirela Milorin, deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxha, tha se vendimi i Gjykatës Kushtetuese në Kosovë për të rrëzuar dekretin e presidentes Osmani për shpërndarjen e Kuvendit ofron qartësi për të bërë një zgjedhje politike.
Sipas tij, dekreti tregon se Osmani ka shkelur Kushtetutën e Kosovës dhe, siç theksoi ai, është momenti që deputetët e Kuvendit të Kosovës të bëjnë më të mirën e mundshme.
“Edhe pse është ditur që brenda dy ditëve të fundit do të ketë një proces politik ku Kurti do të ishte serioz për të pasur një dialog me partitë politike dhe për të zgjedhur një president, tani e shoh si një vendim që ofron qartësi për të bërë një zgjedhje politike.
Dekreti fillimisht ka treguar se Osmani ka shkelur Kushtetutën e Kosovës dhe është një nga shkeljet më të mëdha që ka kryer ndonjëherë ndonjë president në Republikën tonë.
Meqë nuk mundet që në një republikë parlamentare të shpërbëhet Kuvendi në formën siç është bërë nga një president, i cili kishte pretendime që më 5 mars në orën 12:00 mund të zgjidhej presidente dhe të zgjohej në mëngjes duke parë se Kuvendi ishte shpërbërë.
Nuk mendoj se ka qenë një sjellje politike dhe demokratike. Kjo mund të ketë ndodhur që nga dita kur Osmani ka marrë një dekret të tillë dhe duket që gjykata na ka dhënë të drejtë. Duhet të shohim se cila do të jetë mundësia që politikisht të bëjmë më të mirën e mundshme”, u shpreh Hoxha.
I pyetur nga gazetarja Mirela Milori nëse mund të jetë sërish Osmani kandidate për presidente, Hoxha u shpreh se kjo çështje i përket partive politike në Kuvend.
“Nuk di. Kjo është një çështje që i përket partive politike në Kuvendin e Kosovës. Nuk mendoj se do të duhej ta meritonte. Qëndrimi ynë ka qenë i qartë edhe kur është zgjedhur Osmani para pesë vitesh, dhe njerëzit kanë menduar se po keqintepretonim realiteti politik”, theksoi ai.
The post “Vjosa Osmani ka bërë shkelje të rënda kushtetuese”, Hoxhaj: Nuk e di nëse meriton të jetë presidente appeared first on Euronews Albania.
