Protesta e studentëve shqiptarë në RMV, Ministri Hoxha: Përdorimi i gjuhës amtare, e drejtë themelore

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Ferit Hoxha, reagoi për protestën e studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, duke theksuar se përdorimi i gjuhës amëtare është një e drejtë themelore e garantuar nga Kushtetuta dhe ligji për përdorimin e gjuhëve.

Në një postim në X, Hoxha nënvizoi se çështja duhet të trajtohet me seriozitet institucional, duke kërkuar zgjidhje të qëndrueshme.

“E kam ndjekur me vëmendjen më të madhe shqetësimin e shprehur dhe kërkesën e drejtë dhe legjitime të studentëve shqiptarë në Maqedoninë e Veriut për dhënien e provimit në gjuhën shqipe.

Përdorimi i gjuhës amëtare është një e drejtë themelore, e garantuar nga Kushtetuta e Maqedonisë së Veriut dhe Ligji për Përdorimin e Gjuhëve, e cila nuk mund dhe nuk duhet të ngushtohet apo vonohet nga asnjë procedurë. Nëse procedurat rezultojnë të mangëta apo të paqarta, është detyrim institucional që të gjenden zgjidhje të drejta dhe të qëndrueshme.

Kjo është një çështje që kërkon trajtim të matur dhe të përgjegjshëm, larg çdo përpjekjeje për politizim. Ajo duhet adresuar me seriozitet institucional dhe në frymën e respektimit të të drejtave themelore.

Demokracitë jo vetëm që kanë mekanizmat, por edhe pjekurinë e nevojshme për të gjetur zgjidhje ku harmonizohen shteti ligjor, legjislacioni dhe të drejtat e qytetarëve”, tha ai.

Hoxha përgëzoi gjithashtu angazhimin qytetar të studentëve dhe mënyrën demokratike me të cilën kanë artikuluar kërkesat e tyre.

“Studentët meritojnë përgëzim për angazhimin qytetar dhe mënyrën demokratike me të cilën kanë artikuluar kërkesën e tyre. Kjo kërkon një përgjigje me të njëjtin standard #përgjegjshmërie, përmes dialogut konstruktiv dhe zgjidhjeve që respektojnë plotësisht të drejtat e garantuara”.

The post Protesta e studentëve shqiptarë në RMV, Ministri Hoxha: Përdorimi i gjuhës amtare, e drejtë themelore appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: