Endrit Shabani vizitë zyrtare në Kosovë, pritet nga Haxhiu: Të garantohen të drejtat e shqiptarëve në rajon

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Avokati i Popullit Endrit Shabani, njëherazi president i Organizatës së Avokatëve të Mesdheut, AOM, po zhvillon një vizitë zyrtare në Republikën e Kosovës, ku u prit në një takim të nivelit të lartë nga Kryetarja e Kuvendit dhe Ushtruesja e Detyrës së Presidentit, Albulena Haxhiu.

Në qendër të diskutimeve ishte mbrojtja e lirive themelore dhe garantimi i të drejtave të shqiptarëve në rajon. Shabani theksoi domosdoshmërinë e një qasjeje të përbashkët dhe proaktive për t’iu përgjigjur sfidave aktuale të të drejtave të njeriut në të dyja shtetet.

Gjatë takimit, në cilësinë e Presidentit të AOM-së, Shabani kërkoi mbështetje institucionale nga Kuvendi i Kosovës për fuqizimin e institucionit të Avokatit të Popullit të Kosovës. Ai theksoi se një mekanizëm i pavarur dhe i fortë mbrojtës i të drejtave të njeriut është thelbësor për garantimin e shtetit të së drejtës dhe demokracisë funksionale.

Vizita e Shabani thellon bashkëpunimin strategjik ndërinstitucional Tiranë-Prishtinë. Agjenda e tij në Prishtinë vijon me takime të rëndësishme dypalëshe me Avokatin e Popullit të Kosovës, Naim Qelaj, dhe Kryetarin e Gjykatës Kushtetuese, Nexhmi Rexhepi.

The post Endrit Shabani vizitë zyrtare në Kosovë, pritet nga Haxhiu: Të garantohen të drejtat e shqiptarëve në rajon appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: