Sekretari i Përgjithshëm i Komiteti Olimpik i Kosovës, Besim Aliti, në emisionin “SportCast” ka folur për sfidat, afatet dhe urgjencën që e pret Kosovën në rrugën drejt organizimit të Lojërat Mesdhetare Prishtina 2030. Ai ka theksuar nevojën për bashkëpunim institucional, përshpejtim të proceseve dhe përgatitje serioze infrastrukturore në një periudhë kohore që, sipas tij, është shumë e kufizuar për projektet madhore që kërkohen.
Aliti ka nënvizuar se katër vitet e ardhshme janë të pamjaftueshme për realizimin e projekteve kapitale sportive, duke pasur parasysh kompleksitetin e ndërtimit të objekteve si stadiumi kombëtar, qendrat nacionale sportive apo renovimi i objekteve ekzistuese.
Ai ka theksuar rëndësinë e miratimit të projektligjit për Lojërat Mesdhetare si një hap kyç që do të ndikojë drejtpërdrejt në përshpejtimin e procedurave të prokurimit dhe nisjen konkrete të punimeve infrastrukturore.
“Nuk është që nuk ka lëvizje, ka lëvizje por jo aq shumë konkrete sa ç’duhet dhe mendoj që kjo dhe mendoj që kjo është pika e cila ka ndodhur tash dhe momentumi kryesor është miratimi i projektligjit për Lojëra Mesdhetare i cili pikërisht duhet të përshpejtojë procesin e prokurimit dhe procesin se si duhet ne të fillojmë sa më shpejt me infrastrukturën sportive. Pra kam besim të plotë, nuk kemi tepër kohë. Të gjithë ata që janë marrë me ndërtim e dinë se sa pak është katër vjet apo katër vjet e gjysmë për të ndërtuar stadium kombëtar, qendrën nacionale të notit, apo qendrën nacionale të tenisit, apo çfarëdo palestre tjetër. Është, është shumë apo renovimi i Pallatit të Rinisë. Unë ju garantoj që jo më pak se katër vjet i duhet vetëm Pallatit të Rinisë për të renovuar, jo po për të ndërtuar. Pra nuk kemi kohë, nuk kemi luks të debatojmë më”, theksoi Aliti në SportCast.
Më tej, Aliti është ndalur te nevoja për unitet institucional, duke bërë thirrje që të shmangen debatet e panevojshme dhe të fokusohet energjia në punë konkrete. Sipas tij, bashkëpunimi mes institucioneve kryesore si Qeveria e Kosovës, Komuna e Prishtinës dhe Komiteti Olimpik është thelbësor për suksesin e organizimit. Ai ka vlerësuar si pozitiv sinjalet e fundit të koordinimit ndërinstitucional, duke e konsideruar këtë si momentin e duhur për një bashkim të fuqishëm në funksion të përfaqësimit sa më dinjitoz të vendit.
The post Kosovë, Sekretari i Komiteti Olimpik bën thirrje për bashkim para sfidës sportive të vitit 2030 appeared first on Euronews Albania.
