6 raste brenda ditës, Policia e Kosovës operacion për kapjen e armëve! Gjenden kallash, fishekë dhe bomba

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Policia e Kosovës ka zhvilluar një sërë operacionesh këtë të enjte në veri të vendit, ku në gjashtë raste të ndara janë zbuluar dhe sekuestruar armë, municion, granata dore dhe pajisje të tjera ilegale.

Sipas njoftimit zyrtar, aksionet janë ndërmarrë nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Mitrovicë të Veriut, pas informatave të siguruara nga qytetarët. Kontrollet janë kryer në disa lokacione në komunën e Zubin Potokut, konkretisht në fshatrat Banovë dhe Prevllak.

Në rastin e parë, në një shtëpi të pabanuar, policia gjeti katër pushkë të ndryshme, 223 fishekë, tre radio-lidhje, një kamerë, uniforma ushtarake dhe pajisje për pastrimin e armëve.

Në një tjetër kontroll, në një banesë të banuar, u sekuestrua një pushkë pa leje dhe tre fishekë. Në vendngjarje u ndalua një person, i identifikuar me inicialet M.R. (1972), i cili pas intervistimit u lirua me urdhër të prokurorit, ndërsa rasti ndaj tij do të hetohet për armëmbajtje pa leje.

Në rastin e tretë, policia zbuloi një armë automatike AK-47, tre karikatorë, 88 fishekë dhe një granatë dore të tipit M75, prodhim jugosllav. Në këtë lokacion ndërhynë edhe njësitë për trajtimin e mjeteve eksplozive (EOD), të cilat e tërhoqën granatën në mënyrë të kontrolluar.

Ndërkohë, në tri raste të tjera, në objekte të pabanuara dhe një hambar, u sekuestruan armë të tjera, përfshirë një tjetër AK-47, pushkë gjuetie, një pushkë M48 (e çmontuar), fishekë, si dhe pajisje ushtarake, përfshirë bajonetë dhe uniforma.

Të gjitha veprimet janë kryer në koordinim me prokurorin e shtetit, i cili ka urdhëruar inicimin e rasteve për veprën penale “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

The post 6 raste brenda ditës, Policia e Kosovës operacion për kapjen e armëve! Gjenden kallash, fishekë dhe bomba appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: