Hungari, Magyar kërkon transferimin sa më parë të pushtetit, kërkon largimin e presidentit

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Njeriu që i dha fund pushtetit 16-vjeçar të Viktor Orban, Peter Magyar ka bërë thirrje për transferimin sa më parë të pushtetit gjatë bisedimeve të zhvilluara me presidentin e Hungarisë, tre ditë pasi partia e tij korri një fitore dërrmuese në zgjedhjet parlamentare.

Magyar u takua me kreun e shtetit në pallatin presidencial dhe më pas u tha gazetarëve se dëshironte që seanca e parë e Parlamentit të ri të mbahet më 4 maj, ditën kur rezultatet zgjedhore do të zyrtarizohen.

Vetë presidenti Tamas Sulyok bëri të ditur se i kishte thënë kryeministrit të ardhshëm se do ta mbledhë Parlamentin sa më shpejt të jetë e mundur pasi rezultati përfundimtar të formalizohet.

Ai nuk e komentoi kërkesën e Magyar që të tërhiqet, edhe pse vetë kryetari i partisë Tisza tha se presidenti i kishte komunikuar se do ta merrte në konsideratë atë.

Sulyok tha se do të propozojë zyrtarisht Magyar për pozicionin e kryeministrit në takimin e parë të Asamblesë së re Kombëtare, që zgjedh qeverinë e re. Sipas Magyar, kjo ka gjasa të ndodhë më 6 ose 7 maj, edhe pse ai do të donte që të bëhet më herët.

Magyar, 45 vjeç, thotë se presidenti aktual nuk mund të përfaqësojë unitetin e kombit hungarez dhe se dëshiron që ai të largohet sapo ekzekutivi të jetë formuar. “Ai nuk është i përshtatshëm për të qenë një autoritet moral, apo për të ofruar një model”, ka thënë fituesi i zgjedhjeve.

Takimi mes tij dhe presidentit u bë paraditen e së mërkurës. Pas tij, liderët e dy partive të tjera me mandate parlamentare u paraqitën gjithashtu në presidencë për një takim.

Kur doli, kryeministri në ikje, Viktor Orban i shmangu deklaratat për gazetarët, të cilët i kishin drejtuar mikrofonët tek Magyar dhe hipi në një makinë për t’u larguar.

The post Hungari, Magyar kërkon transferimin sa më parë të pushtetit, kërkon largimin e presidentit appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: