VIDEO/ Përmbysje e madhe në “San Siro”, Interi siguron finalen e Kupës së Italisë

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Interi ka shkoi në finalen e Kupës së Italisë 2025/26, pasi fitoi 3-2 ndaj Comos në “San Siro”, në një ndeshje me përmbysje dhe emocione deri në fund.

Como i befasoi zikaltërit duke krijuar rrezik që në fillim, kur Kempf goditi traversën në minutën e 9-të. Më pas, në minutën e 32-të, Baturina shënoi golin e parë pas një asisti nga Van der Brempt, duke i dhënë avantazhin 0-1 miqve.

Në fillim të pjesës së dytë, Como e thelloi epërsinë ku Da Cunha realizoi në minutën e 48-të me një goditje të saktë nga një kënd i ngushtë, duke e çuar rezultatin në 0-2 ndaj Interit.

Nerazzurrët reaguan gradualisht dhe filluan të shtonin presionin. Thuram provoi me kokë, por topi u largua nga vija e portës, ndërsa Interi vazhdonte të kërkonte kthesën e ndeshjes.

Rikthimi nisi në minutën e 69-të, kur Çalhanoglu shënoi nga jashtë zonës për të shkurtuar diferencën në 1-2. Interi rriti ritmin dhe në minutën e 86-të, turku realizoi edhe golin e barazimit 2-2, këtë herë me një goditje me kokë.

Vetëm pak minuta më vonë, në minutën e 89-të, erdhi përmbysja e madhe ku Sucic u shndërrua në protagonistin e mbrëmjes duke shënuar golin e fitores 3-2, pas një asistimi të Çalhanoglu.

Trajneri i Interit Cristian Chivu foli për një ekip të “çmendur”.

“Ne e dinim se çfarë është Como. Ata kanë mbrojtjen më të mirë në ligë, megjithatë ne arritëm të shënonim kaq shumë gola kundër tyre. Por këta djem  kanë dëshirë, vendosmëri dhe krenari. Ata kanë ADN-në e Interit brenda tyre, dhe të rikthehen kundër Comos dy herë brenda pak ditësh duhet të thuash se është një Inter i çmendur”, tha ai.

Me këtë fitore, Interi siguron finalen e gjashtëmbëdhjetë në historinë e tij në Kupën e Italisë dhe do të kërkojë trofeun e dhjetë. Kundërshtari i finales do të vendoset nga përballja Lazio–Atalanta, pas barazimit 2-2 në ndeshjen e parë ndërsa për Comon, kjo ishte një mundësi historike për të arritur finalen e parë.

The post VIDEO/ Përmbysje e madhe në “San Siro”, Interi siguron finalen e Kupës së Italisë appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: