Federata Shqiptare e Futbollit ka ndërtuar e një mini-fushe futbolli në kujtim të futbollistit të ndjerë, Martin Cani, i cili humbi jetën tragjikisht pranë shkollës “Fan Noli” në nëntor të vitit 2024.
Mini-fusha, që tashmë mban emrin e tij, është konceptuar si një homazh për një talent të ri të futbollit shqiptar, por edhe si një hapësirë e dedikuar për fëmijët e zonës – një vend ku ata mund të luajnë, të rriten dhe të edukohen përmes sportit.
“Në ceremoninë e inaugurimit ishin të pranishëm anëtarja e Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së, Anila Basha, si dhe familjarët e Martin Canit, në një moment të mbushur me emocion dhe mirënjohje.
Në prononcimin e saj për fshf.org, Anila Basha theksoi rëndësinë e kësaj nisme:
Sot inaugurojmë një fushë që do të mbajë emrin e Martinit – një djalë i talentuar dhe me potencial të madh. Ky është një kontribut i Federatës jo vetëm për të nderuar kujtimin e tij, por edhe për të inkurajuar fëmijët që të zgjedhin sportin si rrugë zhvillimi. Në këtë mënyrë japim edhe një mesazh të qartë: dhuna nuk është zgjidhje, ndërsa sporti është një alternativë që ndërton dhe bashkon”, thuhet në një njpftim të FSHF.
“Jam shumë krenare që u realizua kjo mini-fushë për të gjithë fëmijët. Shpresoj që këtu të përcillet gjithmonë energjia pozitive që kishte Martini. Faleminderit nga zemra Federatës”, u shpreh nëna e Martin Canit, Florina.
“Faleminderit FSHF-së që nuk e harroi Martinin dhe që krijoi këtë hapësirë për komunitetin dhe brezat e rinj. Është një kontribut i çmuar për të ardhmen e fëmijëve”, shtoi Angel Cani, babai i Martinit.
The post FSHF nderon kujtimin e Martin Canit me një mini-fushë për komunitetin dhe të rinjtë appeared first on Euronews Albania.
