Në një intervistë për Now me Esmeralda Mulaj, deputeti i Mefail Bajqinovci nga Lëvizja Vetëvendosje ka folur për zhvillimet e fundit politike në Kosovë, në një moment që ai e cilëson si vendimtar për skenën politike dhe institucionale të vendit.
Bajqinovci theksoi se orët dhe ditët në vijim janë vendimtare për gjetjen e një zgjidhjeje politike dhe shmangien e një krize të re institucionale, duke shtuar se Vetëvendosje ka shprehur gatishmëri për dialog deri në momentet e fundit.
Ai deklaroi se Lëvizja Vetëvendosje ka bërë oferta konkrete për bashkëqeverisje me opozitën, përfshirë propozime për ndarjen e përgjegjësive në ekzekutiv, si zëvendëskryeministrin dhe katër ministri për Lidhjen Demokratike të Kosovës, si dhe poste të tjera të rëndësishme në institucionet e shtetit. Sipas tij, këto oferta janë bërë në funksion të stabilitetit institucional dhe shmangies së krizës politike, por nuk janë pranuar nga opozita.
“Ditën e hënë, ora 23:59 ë shpërndahet Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme. Andaj është një apel që opozita të reflektojë dhe të ulemi. Unë mendoj që kjo opozitë nuk duhet të mendojë që si zoti Kurti vetëm të mos jetë në pushtet, por të mendojë që t’i japë zgjidhje çështjes së presidentit. Ne jemi të interesuar që sa më shpejt të arrihet një zgjidhje brenda këtyre ditëve të mbetura, sepse në të kundërtën Kuvendi shpërndahet dhe vendi shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme. Ne si Lëvizje Vetëvendosje kemi treguar gatishmëri për kompromis dhe kemi ofruar zëvendëskryeministrin dhe katër ministri për Lidhjen Demokratike të Kosovës, apo edhe pozita të rëndësishme në institucionet e shtetit, si një formë e bashkëqeverisjes dhe stabilitetit institucional, por kjo ofertë fatkeqësisht nuk është pranuar dhe nuk është parë me seriozitetin e duhur nga opozita, edhe pse do të kishte shmangur një krizë të re politike. Opozita fillimisht ka deklaruar publikisht se kërkon një president konsensual dhe mbi partiak, që të jetë i pranueshëm për të gjitha palët politike në vend, por gjatë rrugës ka ndryshuar qëndrim dhe tani po kërkon kandidatë që vijnë drejtpërdrejt nga partitë e tyre politike, dhe kjo e vështirëson arritjen e një marrëveshjeje sepse nuk kemi më një qëndrim të unifikuar nga ana e tyre”, tha ai.
Bajqinovci shtoi se Vetëvendosje mbetet e hapur për dialog deri në momentet e fundit të afatit kushtetues, duke theksuar se zgjidhja politike është e domosdoshme për të shmangur zgjedhjet e parakohshme dhe një krizë të re institucionale në vend.
The post Kriza për presidentin, deputeti i LVV-së: Opozita të reflektojë, jemi të gatshëm për kompromis appeared first on Euronews Albania.
