Sveçla: Drejtësia për Banjskën nuk përfundon këtu! Përmbyllet kur të gjithë përgjegjësit të dalin para drejtësisë

Shpërndaje:

Lexoje me ngut

Ministri i Punëve të Brendshme në Kosovë, Xhelal Sveçla përmes një postimi në “Facebook” ka reaguar lidhur me vendimin e marrë këtë të premte për dënimin e 3 personave të përfshirë në sulmin në Banjskë. Sveçla shkruan se kjo është një ditë e rëndësishme për drejtësinë.

Sipas tij ky është sulminuk ishte një akt i izoluar por një operacion i organizuar me mbështetje të Serbisë. Ai theksoi se ky vendim duhet të jetë një mesazh i qartë se kushdo që cenon Kosovën dhe Policinë e saj, do të përballet me drejtësinë.

“Në këtë ditë të rëndësishme për drejtësinë e Republikës së Kosovës, vendimi për sulmin terrorist në Banjskë duhej dhe duhet të reflektojë vetëm një standard: dënime maksimale për të gjithë të përfshirët. Ky standard duhet të vlejë për secilin pjesëtar si pjesë e një rrjeti shumë më të gjerë prej 45 personash të identifikuar, pa përjashtim.

Sulmi i 24 shtatorit 2023 nuk ishte një akt i izoluar, por një operacion i organizuar me mbështetje shtetërore nga Serbia, me synim cenimin e rendit kushtetues dhe aneksimin e një pjese të territorit të Kosovës.

Atë ditë, Republika e Kosovës jo vetëm që përballoi terrorizmin, por ndali një skenar të rrezikshëm për ndarje. Këtë e dëshmojnë faktet dhe provat që dokumentojnë përfshirjen e drejtpërdrejtë të Serbisë.

Sot është e qartë: strukturat kriminale dhe paramilitare në veri janë çmontuar. Rendi kushtetues është mbrojtur. Tani mbetet që Serbia të mbahet përgjegjëse për rolin e saj politik, financiar dhe logjistik në këtë agresion.

Dënimi nuk e kthen heroin Afrim Bunjaku, por është një hap drejt drejtësisë për sakrificën e tij dhe për dhimbjen që mbetet te familja, kolegët dhe gjithë qytetarët tanë.

Ky vendim duhet të jetë një mesazh i qartë: kushdo që cenon Republikën e Kosovës dhe Policinë e saj, do të përballet me drejtësinë.

Drejtësia për Banjskën nuk përfundon këtu. Ajo përmbyllet vetëm kur të gjithë përgjegjësit të dalin para drejtësisë, me në krye Milan Radoiçiqin”, shkruan ai.

The post Sveçla: Drejtësia për Banjskën nuk përfundon këtu! Përmbyllet kur të gjithë përgjegjësit të dalin para drejtësisë appeared first on Euronews Albania.

Shpërndaje: