Kryetari i PDK-së, Bedri Hamza këtë të shtunë përmes një video të publikuar në “Facebook” ka reaguar lidhur me deklaratat e një ditë më parë të kryeministrit Albin Kurti lidhur me çështjen e presidentit dhe zgjedhjeve
Hamza gjatë fjalës së tij theksoi se Kurti tentoi t’i hidhte fajin opozitës lidhur me procesin e zgjedhjes së Presidentit të ri. Ai i ka cilësuar deklaratat e Kurtit si moralizëm politik. Sipas tij çdo lider politik i përgjegjshëm ndalet, reflekton dhe bashkëpunon në momentet kur vendi ka më së shumti nevojë.
Ai theksoi se prej vitesh Kurti po bën të kundërtën duke refuzuar bashkëpunimin dhe kompromisin. Hamza shtoi se PDK ka ofruar zgjidhje konkrete dhe marrëveshje gjithëpërfshirëse.
Ai theksoi se qëndrimi i PDK ka qenë, është dhe mbetet parimor. Për PDK-në, sipas tij stabiliteti institucional nuk është objekt negocimi, por interes shtetëror.
“Ne nuk bëjmë pazare politike”, ka thënë Hamza.
“Si Kryetar i PDK-së, unë kam dëshmuar vullnet e gatishmëri për dialog dhe bashkëpunim. Kam qenë aty, në çdo takim, në çdo ftesë. Madje edhe në vikend, në zyrën e tij, me shpresën e vetme: që kjo çështje të trajtohet seriozisht dhe me përgjegjësi shtetërore. Por shumë shpejt u bë e qartë: nuk ishte i interesuar për konsensus. Nuk ishte i interesuar për kompromis. Kishte vetëm një qëllim: imponimin e një presidenti partiak për pushtetin e tij.
Ne, si PDK, kemi ofruar zgjidhje konkrete. Kemi ofruar marrëveshje gjithëpërfshirëse. Kemi ofruar marrëveshje vetëm për Presidentin dhe diskutim për emra konsensualë në një fazë të dytë, pas dakordimit parimor. Madje kemi mbështetur edhe figura unifikuese, që i bashkojnë të gjithë qytetarët tanë. Por kjo qasje konstruktive e jona nuk u vlerësua. U shtrembërua.
U keqinterpretua. U përdor për konsum politik. Dhe në fund, vendi u shty drejt një rruge të gabuar që çonte në zgjedhje të reja, me dy kandidatë partiakë të tij dhe pa asnjë përpjekje reale për zgjidhje”, tha Hamza ndër të tjera.
Kurti të premten me një video të gjatë foli lidhur me çështjen e presidentit. Ai ndër të tjera shtoi se krerët e PDK dhe LDK po sillen edhe më keq se Fatmir Limaj në vitin e kaluar. Sipas tij ata nuk po duan as pushtet dhe as përgjegjësi për veten e tyre. Ai shtoi se sipas tij ata nuk duan që LVV të ketë pushtetin.
The post “PDK e LDK po sillen më keq se Fatmir Limaj”/ Hamza i reagon Kurtit: Vazhdojnë fajësimet dhe manipulimet e zakonshme appeared first on Euronews Albania.
