Deputetja demokrate Jorida Tabaku ka denoncuar nga Elbasani dështimin e qeverisjes me projektin e Koridorit 8-të, që pritet të lehtësojë lëvizjen e lirë dhe qarkullimin ndërkombëtar të automjeteve.
Ajo e cilëson atë pa standarde europiane dhe “simbol i dështimit të modelit qeverisës”, ku nga projekti dhe deri te zbatimi ka problematika, shkelje dhe vonesa në realizim.
Ligjvënësja e PD, nëpërmjet një video-mesazhi në rrjetet sociale, ngriti shqetësimin për gjendjen dhe menaxhimin e Korridori VIII, duke e cilësuar atë si një projekt strategjik që po dështojnë të materializohet sipas standardeve europiane.
Në reagimin e saj, Tabaku theksoi se Korridori VIII nuk është thjesht një aks rrugor, por një projekt me rëndësi historike dhe gjeostrategjike për Shqipërinë, që lidhet me trashëgiminë e “Via Egnatia” dhe me potencialin për ta kthyer vendin në një nyje kyçe lidhëse mes rajonit dhe Europës.
Megjithatë, sipas saj, nga projektimi deri në fazën e zbatimit, ky korridor shfaq probleme serioze që reflektojnë mungesën e standardeve europiane në qeverisje. Tabaku evidentoi se nuk ekziston një strategji e integruar për zhvillimin e këtij aksi, ndërkohë që investimet janë të fragmentuara dhe pa vizion të qartë për lidhjen mes rrugëve dhe hekurudhës.
Ajo ngriti shqetësimin edhe për cilësinë e punimeve, duke theksuar se segmentet e ndërtuara nuk përmbushin standardet minimale europiane, si në aspektin e sigurisë rrugore, shpejtësisë së projektuar dhe ndërveprimit me infrastrukturën hekurudhore. Sipas Tabakut, këto mangësi e bëjnë të pamundur që Shqipëria të shfrytëzojë potencialin e plotë të këtij korridori si pjesë e rrjeteve të transportit të Bashkimit Europian dhe NATO-s.
Duke u ndalur edhe tek zhvillimet në Porti i Durrësit, ajo përmendi problematikat që lidhen me projektet dhe tenderët, duke i konsideruar ato si shembuj të një modeli që pengon zhvillimin e qëndrueshëm të infrastrukturës strategjike.
Në përfundim, Tabaku theksoi se gjendja e Korridorit VIII është një tregues i qartë i hendekut mes retorikës së integrimit dhe realitetit në terren. Sipas saj, mungesa e standardeve, korrupsioni dhe paaftësia institucionale po e mbajnë Shqipërinë larg rolit që mund të kishte në hartën europiane të transportit.
The post “Korridori VIII mbetet simbol i dështimit”, Tabaku: Shembulli se si pushteti socialist nuk është europian! appeared first on GIJOTINA.
