Komiteti Ndërkombëtar i Shpëtimit: Hapja e qendrave në Shqipëri, ditë e errët

Shpërndaje:

Lexoje këtu nëse e ke me ngut!

Nisja e zbatimit të marrëveshjes mes Shqipërisë dhe Italisë ka marrë edhe një herë vëmendjen e agjencive ndërkombëtare. Në një shkrim të gjatë CNN shkruan se hapja e qendrave në Shqipëri do të “shënojë një ndryshim të jashtëzakonshëm në trajtimin e migracionit mesdhetar”.

Në shkrim përmenden akuzat e forta të organizatave të të drejtave të njeriut, të cilat kanë frikë se ky do të jetë një precedent për kombet e tjera që dëshirojnë të shkarkojnë migrantët në vendet e palëve të treta që mund të mos zbatojnë rregulla të rrepta për të drejtat e njeriut.

Komiteti Ndërkombëtar i Shpëtimit (IRC) e quajti hapjen e qendrave në Shqipëri “një ditë të errët për politikat e BE-së për azilin dhe migracionin”. Komiteti u shpreh se shpresonte që protokolli shqiptar të mos ishte një plan edhe për të tjerët.

“Mbajtja e njerëzve të bllokuar pas telave me gjemba, qëllimisht larg syve dhe mendjes, nuk është një zgjidhje e qëndrueshme për sfidat e migracionit të Evropës”, – tha drejtoresha e avokimit të BE-së në IRC, Marta Welander, në një deklaratë për CNN.

“Teksa numri i njerëzve që mbërrijnë në Itali është zvogëluar muajt e fundit, numri i atyre që tentojnë kalimin drejt Spanjës është rritur shumë. Këto qasje nuk i pengojnë njerëzit të rrezikojnë jetën e tyre për të arritur në Evropë. Ato thjesht i çojnë ata në një rrugë gjithnjë e më të rrezikshme” – shtoi Welander.

CNN citon kryeministren italiane Giorgia Meloni që hedh poshtë kritikat. Ajo i tha dhomës së lartë të parlamentit të Italisë se shpresonte që plani të vendosë një rrugë që edhe vendet e tjera duhet ta ndjekin.

“Është një rrugë e re, e guximshme, e paprecedentë, por që pasqyron në mënyrë të përsosur frymën evropiane dhe ka të gjitha kushtet e një plani që do të merret edhe nga kombet e tjera jashtë BE-së”, – tha ajo të hënën.

Më shumë se 1 milion emigrantë kanë arritur në Itali përmes detit nga portet e Afrikës së Veriut që nga viti 2014, sipas statistikave të qeverisë italiane dhe UNHCR-së. Më shumë se 30 500 kanë vdekur ose janë zhdukur në të njëjtën rrugë që nga viti 2014, sipas Organizatës Ndërkombëtare të OKB-së për Migracionin. ©LAPSI.al

The post Komiteti Ndërkombëtar i Shpëtimit: Hapja e qendrave në Shqipëri, ditë e errët appeared first on Lapsi.al.

Shpërndaje:

Comments

No comments yet. Why don’t you start the discussion?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *