Agonia e fasonit

Shpërndaje:

Lexoje këtu nëse e ke me ngut!

Fabrikat e mëdha të tekstilit dhe këpucëve duket se janë dorëzuar para krizës dhe besojnë se situata nuk do të jetë e rikuperueshme. Rënia përtej parashikimeve e kërkesës nga jashtë, e kombinuar me faktorë të brendshëm, si rritja e kostove të punës, humbjet nga kursi i këmbimit, kanë ulur të ardhurat me 30% në vitin 2023, teksa shumica e bilanceve rezultuan me humbje. Industrialistët kanë shkurtuar 35% të punonjësve në dy vitet e fundit, teksa janë në përpjekje për t’u diversifikuar në sektorë të tjerë. Ndryshimi i klimës, inflacioni i lartë dhe rënia e kërkesës në Kinë e ka çuar tregun global të veshjeve në rënie. Si po ndikohet tregu global i veshjeve

 

Blerina Hoxha

Një stuhi telashesh i ka goditur fabrikat shqiptare, sidomos ato të prodhimit të veshjeve dhe këpucëve në dy vitet e fundit, aq sa operatorët më të mëdhenj nuk shohin perspektivë për rikuperimin e humbjeve, por thellim të krizës. Mungesa e punonjësve, rritja e kostove të punës, humbjet nga kursi i këmbimit, por mbi të gjitha rënia e kërkesës nga jashtë, po thellon humbjet nga muaji në muaj.

Vitin e kaluar, eksportet e tekstilit në vlerë shënuan 126 miliardë lekë, me rënie rreth 6.5%, ndërsa në 7-mujorin e 2023, situata është përkeqësuar më tej, pasi rënia u thellua me rreth 12%.

Skënder Pashaj, i cili drejton kompaninë “Fital”, një nga prodhuesit më të mëdhenj të këpucës, pohon se përpos situatës së vështirë nuk ka shpresa për rikuperim. Rritja e kostove të jetesës pas luftës në Ukrainë, në shumë vende të Europës me të cilat vendi ynë eksporton, e ka ulur kërkesën për veshje dhe këpucë.

Gjiganti global i veshjeve sportive “Nike” njoftoi se më 2024, shitjet me pakicë në rang global do të pësojnë rënie me 10%, kundrejt pritshmërive të tyre për rritje. Teksa tregu i këpucëve është në krizë prej dy vitesh, në të njëjtën situatë dhe për të njëjtat arsye po vuajnë edhe fabrikat shqiptare vitin e fundit.

Vitin e kaluar, të ardhurat nga eksportet e veshjeve u rritën me 0.5%, por gjatë 7-mujorit 2024 pësuan rënie me 13.5%. Florian Zekja, pjesë e Shoqatës së Fasonistëve thotë se, përveç kursit të këmbimit, edhe kërkesa e jashtme është faktor madhor.

Panairet e modës së pranverës u përballën me rënie të madhe të porosive, teksa shpresat për rikuperim janë bërë të vështira. Të dhënat nga bilancet e kompanive të mëdha tregojnë se numri i punonjësve, në shumicën e tyre, është shkurtuar me mbi 35% më 2023. Nëse situata e tregut ndryshon, fabrikat e kanë shumë të vështirë të rikthejnë punonjësit, pasi ata janë integruar në sektorë të tjerë.

Kriza e fabrikave duket se është bërë e qëndrueshme për shumë arsye, një pjesë e të cilëve buruan nga tregu i brendshëm. Rënia e Euros në mënyrë sistematike vitet e fundit uli fitimet e fabrikave dhe nga ana tjetër, rritja e pagës minimale nga 30 mijë lekë në prill 2022 në 40 mijë lekë në fund të 2023 ushtroi presion te kostot, duke bërë që shumë klientë të ikin nga Shqipëria drejt çmimeve më të lira në vende të Azisë dhe Afrikës.

Edvin Prençe, i cili zotëron një fabrikë të prodhimit të këpucëve, por edhe drejton shoqatën e fabrikave fason, tha se situata përkeqësohet dita-ditës. Ai tha se ka rënie drastike të porosive kryesisht nga humbja e konkurrueshmërisë si pasojë e rritjes së kostove të punës dhe kursit të këmbimit. Zoti Prençe pohoi se ditë pas dite ka falimente dhe shkurtime masive të vendeve të punës.

 

Bien të ardhurat dhe fitimet

Në vitin 2023, kompania e prodhimit të këpucëve “Fital” realizoi 1,37 miliardë lekë të ardhura nga shitjet, me rënie 34% në krahasim me vitin 2022, sipas të dhënave nga bilanci i dorëzuar në Qendrën Kombëtare të Biznesit.

Rënia e të ardhurave shkaktoi humbje në 137 milionë lekë, ose 1,3 milionë euro. Pas vitesh rritje, “Fital” shënoi humbje të paprecedentë në një vit kundrejt fitimeve 630 mijë euro të vitit 2022 (të dhëna nga bilanci). Kompania realizoi gati gjysmën e qarkullimit në krahasim me para pandeminë, kur të ardhurat shënuan 2.5 miliardë lekë.

Në vitin 2023 ishin të punësuar 790 punonjës nga 1025 që ishin të punësuar më 2021.

“Albaco Shoes”, operatori më i madh i tregut, raporton përkeqësim të të gjithë treguesve në raportet që shoqërojnë bilancin për vitin 2023. Fitimet e “Albaco Shoes” ishin 47,5 milionë lekë më 2023 me rënie 55% në krahasim me vitin 2022.

Referuar informacionit për ecurinë e aktivitetit më 2023, “Albaco Shoes” e konsideron si një vit anormal. Faturimet kanë pësuar ulje me 1% në krahasim me 2022, teksa kostot e prodhimit kanë shënuar rritje me 5.4%.

Numri i të punësuarve ka pësuar ulje me 35.3% në krahasim me vitin 2022 dhe çmimet e faturimit pësuan ulje me 3.5%. Kjo ecuri ka përkeqësuar aktivitetin e kompanisë.

Vitin e kaluar, fabrikat e këpucëve dhe veshjeve kanë pësuar nga eksportet humbje në total prej 90 milionë eurosh, por këtë vit humbjet pritet të jenë edhe më të mëdha. Në janar-korrik, eksportet në vlerë ishin 140 milionë euro më të ulëta se në 7-mujorin 2023. Deri në fund të vitit, humbjet do të thellohen, pasi operatorët nuk presin përmirësim.

Rënia e fitimeve dhe të ardhurave po çon në faliment shumë njësi më të vogla, kryesisht nënkontraktorët. Kostot vjetore të amortizimit janë të larta mbi 20% për fabrikat dhe pagat e punonjësve zënë mbi 50% të të ardhurave nga shitjet.

Zoti Pashaj sqaron se shitjet, sidomos të këpucëve janë frenuar pas luftës në Ukrainë. Rritja e çmimeve të mallrave të shportës i ka penalizuar shitjet e këpucëve. Tendenca pritet të jetë e tillë, e kombinuar edhe nga ndryshimi i stilit të jetës dhe ndikimet klimatike që po ndikojnë në shkrirjen e sezoneve, – shpjegojnë prodhuesit.

Zoti Pashaj tha se në tregun e brendshëm, kostot e larta të punës nga rritja e pagave dhe humbjet nga kursi i këmbimit janë faktorë shtesë që kanë vështirësuar situatën në sektor. Aktiviteti i “Fital” u tkurr së paku me 30% vitin e kaluar.

 

Burimi: Bilancet e kompanive të dorëzuara në QKB

 

Kursi i këmbimit kthehet në gangrenë

Ditë pas dite, muaj pas muaji dhe vit pas viti, humbjet nga kursi i këmbimit janë shndërruar në gangrene për fabrikat me destinacion eksportin. Në fillim të vitit 2022, Euro u këmbye mesatarisht 123 lekë, ndërsa këto ditë, ka rënë poshtë nivelit 100 lekë.

Rënia e Euros në dy vite me rreth 18 pikë %, i ka ulur në nivele të ngjashme të ardhurat nga eksportet, pavarësisht volumit të punës. Shqipëria ka një regjim të lirë të kursit të këmbimit, ku çmimi vendoset nga tregu.

Banka e Shqipërisë ndërhyn zakonisht për të korrigjuar anomalitë, por frenimi i rënies ka qenë i pashmangshëm. Prurjet nga turizmi, remitancat dhe paratë nga aktivitete informale po vijnë në rritje nga viti në vit duke ushtruar presion mbi lekun. Të gjitha kompanitë dhe individët që kishin të ardhura në euro janë përballur me rënie të pagave dhe fitimeve dhe kundrejt kostove më të larta të jetesës.

Në fillim të vitit 2023, kursi i këmbimit ishte 114.2 lekë, ndërsa në fund të 2023, Euro u këmbye me 103.8 lekë, ndërsa aktualisht këmbehet me 99 lekë, teksa presionet për ulje të mëtejshme janë në rritje.

Monedha e përbashkët europiane po forcohet edhe më tej edhe pse eurot që hyjnë në mënyrë të ligjshme këtë vit kanë pësuar rënie referuar të dhënave nga bilanci i llogarisë korrente.

Për të gjithë 6-mujorin e parë, deficiti i llogarisë korrente ngelet në vlerat më të larta që prej vitit 2020, me vlerë totale prej 575 milionë eurosh, me zgjerim 53% me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Megjithatë, Euro ka vijuar sërish rënien këto ditë në rekorde të reja historike. Fabrikat për prodhim fason raportojnë së paku 10% humbje të pastra nga kursi i këmbimit vitin e kaluar.

 

Kostoja e pagave u rrit me 12% më 2023

“Fital”, një nga operatorët më të mëdhenj të tregut, raportoi se kostot e personelit u rritën me 12% në vitin 2023 në krahasim me vitin 2022. Paga mesatare në kompaninë “Fital” që prodhon këpucë arriti në 57,3 mijë lekë nga 42,1 mijë lekë që ishin më 2022, me rritje 12%.

Rritje të ngjashme raportohen edhe nga kompanitë e tjera të mëdha, por shumica e tyre e kanë kompensuar rritjen e pagave, duke shkurtuar punonjësit.

Rritja e kostove të personelit u shkaktua kryesisht nga rritja e pagës minimale, por edhe nga largimi i punonjësve. Paga minimale nga 30 mijë lekë në janar 2022 arriti në 40 mijë lekë në prill 2023, nëpërmjet tre vendimeve rresht.

Paga minimale në vendin tonë përcaktohet me vendim qeverie, ndaj rritja me 30% e saj në harkun e 15 muajve dhe e pakonsultuar i gjeti të papërgatitura fabrikat, të cilat po përballeshin, ndërkohë me humbjet që po krijonte rënia e Euros.

Para se të niste lufta në Ukrainë, fabrikat e fasonit nisin të aplikonin rritje pagash për të stimuluar forcën e punës, pasi pas pandemisë, më 2021 pati një kërkesë jo të zakontë për veshje dhe këpucë, e cila ra sërish më fillimin e luftës në Ukrainë.

 

Burimi: INSTAT

 

Si po përshtaten fabrikat

Fabrika e prodhimit të këpucës “Nito” në zonën e Mamurrasit u mbyll duke çuar në shtëpi më shumë se 100 punonjës, teksa administratori i saj, zoti L. Turku, po mendon se si të nisë gjithçka nga e para në një sektor tjetër.

Ai ka filluar përpjekjet për të hapur një aktivitet në sektorin e pasurive të paluajtshme në shitje-blerje dhe qiradhënie në zonat e turistike. Si ai, me qindra njësi të prodhimit të këpucës po përballen me falimentin, teksa njësitë më të mëdha të prodhimit po shikojnë rënie drastike të porosive.

Kjo krizë, më e forta e 15 viteve, i ka vënë bizneset para zgjidhjeve të vështira. Njësitë e vogla po mbyllen dhe po shkojnë drejt sektorëve të tjerë si turizmi, aktivitetet e pasurive të paluajtshme dhe industria ushqimore, ndërsa fabrikat e mëdha po përshtaten, duke kaluar në segmente më të lartë të prodhimit dhe duke shkurtuar kostot e brendshme nëpërmjet rritjes së produktivitetit.

Më të cenuarit duket se janë punonjësit, të cilët kanë kaluar në mbi 20 vite duke qepur këpucë dhe e kanë të vështirë të punësohen në sektorë të tjerë.

Të dhënat të INSTAT tregojnë se në fabrikat e prodhimit të këpucës ishin të punësuar rreth 20 mijë persona në vitin 2022, por të dhënat nga industria tregojnë se një pjesë e madhe e tyre kanë humbur punën këtë vit.

Falimentet më të mëdha kanë ndodhur në rrethe dhe në fabrika që kishin të punësuar nën 120 punonjës që punonin kryesisht me nënkontraktim, të cilat kishin norma më të ulëta fitimi dhe nuk ishin në gjendje të përballonin krizën.

Shqipëria ka krijuar një traditë që vijoi me intensitet edhe gjatë tranzicionit, duke prodhuar për markat më prestigjioze të tregut të tilla si “Prada”, Tood’s, më tej “Geox”, “Clarks” etj.

Eva Laro, e cila zotëron fabrikën e prodhimit të këpucës “ProDyn”, thotë se vitin e kaluar nisi të prodhojë një sasi të kufizuar këpucësh për markën e luksit “Prada”, me të cilën ka nisur një bashkëpunim të mirë.

Transferimi i prodhimit për një nivel të lartë të konsumit, është një mundësi për rritjen e të ardhurave, por ky proces ka sfida të vështira dhe rrezikon rikthimin nga cikli i gjysmë i mbyllur në fason.

 

Burimi: INSTAT

 

Tregu i veshjeve në krizë edhe në Shqipëri, bie konsumi

Njësoj si në tregjet globale, edhe në Shqipëri, shitjet e veshjeve dhe këpucëve shënuan rënie të dukshme në 7-mujorin e parë të vitit nisur nga të dhënat e importeve.

Sipas të dhënave nga tregtia e jashtme e INSTAT, në janar-korrik 2024, importet e veshjeve dhe këpucëve në vlerë shënuan rënie me 10%. Rënien më të madhe e shënuan këpucët me gati 12%.

Në 7-mujorin e parë, importet e veshjeve dhe këpucëve shënuan një vlerë prej 50 miliardë lekësh, rreth 500 milionë euro, në raport me 56 miliardë lekë në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Importet e veshjeve zënë pjesën më të madhe, duke arritur në 42.7 miliardë lekë në janar-korrik 2024, me rënie vjetore 9.7%. Importet e këpucëve shënuan një vlerë prej 7,9 miliardë lekësh, në të njëjtën periudhë nga 8,9 miliardë lekë që u importuan në të njëjtën periudhë të vitit 2023.

Rënia e importeve të veshjeve dhe këpucëve në vendin tonë vijon për të dytin vit radhazi, pasi edhe më 2023 ishin 4,2% më të ulëta se më 2022.

Rënia e konsumit të veshjeve në Shqipëri mbart disa faktorë të shumëfishtë që kanë të bëjnë me tkurrjen dhe plakjen e popullsisë dhe me rritjen e fortë të çmimeve të mallrave të shportës.

Barometri i Ballkanit, një anketë nga Këshilli i Bashkëpunimit Rajonal, që mat perceptimin e qytetarëve për situatën ekonomie gjeti se më 2024, shqetësimi më i madh i shqiptarëve ishte inflacioni i lartë. Pas luftës në Ukrainë, çmimet e shportës në Shqipëri u rritën me ritme dyshifrore. Njësoj si në Europë, qytetarët shkurtuan shpenzimet për veshje dhe këpucë.

 

Burimi: INSTAT

 

Ndryshimet e klimës ndikojnë negativisht edhe industrinë e modës

Dimër të ngrohtë, reshje të mëdha shiu dhe thatësirë, në të gjithë Europën, moti po bëhet më pak i parashikueshëm çdo muaj me pasoja katastrofike për shëndetin dhe sigurinë ushqimore. Ndërsa kjo prirje vazhdon, ndikimet e saj po depërtojnë në aspekte të tjera të jetës sonë të përditshme. Moda është një industri që po ndien efektet e ndryshimit të modeleve të motit.

Ndërsa blerësit heqin dorë nga palltot e dimrit dhe bluzat verore, sjellja e tyre po bëhet më e vështirë për t’u parashikuar. Stinët e përcaktuara qartë dikur, nuk janë më të tilla.

Dimri i kaluar ishte dimri i dytë më i ngrohtë i Europës. Ndërsa disa zona të Europës kishte thatësirë, të tjera po përballen me reshje të dendura shiu.

Dimri i ngrohtë i Europës solli shitje të ulëta të palltove dhe këpucëve të dimrit. Magazinat e mbushura me stoqe ulën kërkesën për prodhuesit. Florian Zekja, nga Shoqata Proeksport, pohon se shkrirja e stinëve po i bën të vështira parashikimet për porositë sezonale.

Tani dimrat janë të ngrohtë dhe shirat mund të zgjasin deri vonë në pranverë, duke ndikuar negativisht shitjen e sezonit të verës. Shkrirja e stinëve e ka vështirësuar parashikimet nga shitja me pakicë tek prodhimi.

Përballë motit të paparashikueshëm, blerësit po investojnë në veshje më të gjithanshme. Ambientalistët shpresojnë se kjo mund t’i detyrojë shitësit e modës së shpejtë të largohen nga modeli i tyre sezonal në ndryshim.

Veshjet trans-sezonale dhe të përshtatshme ndaj nxehtësisë me shitje gjatë gjithë vitit mund të bëhen më të zakonshme, duke reduktuar mbetjet e tekstilit, si nga ana e konsumatorit ashtu edhe nga ana e shitësit.

Në Britani, GlobalData ka rishikuar pritshmëritë për shitjen e veshjeve dhe këpucëve, me rënie prej 3.1% këtë vit, për shkak të shitjeve “zhgënjyese” me pakicë në gjysmën e parë të vitit 2024, pavarësisht se indeksi i besimit konsumator u rrit.

 

 

Rënia e kërkesës në Kinë dëmtoi shitjet e modës së luksit

Faktorë të shumëfishtë po me ndikime të mëdha janë duke ndryshuar industrinë e modës, e cila duket se duhet të përshtatet me kushtet e reja. Një nga këta faktorë me ndikimin më të lartë këtë vit ishte inflacioni i lartë dhe rënia e kërkesës për veshje të luksit, sidomos në Kinë.

Revista “Forbes” analizoi se linja kryesore “Burberry”, “Hugo Boss”, “Swatch Group” dhe “Richemont” e nisën tremujorin e dytë 2024 me lajme zhgënjyese për investitorët. Aksionet e “Burberry”, “Hugo Boss” ranë pasi kompanitë lëshuan paralajmërime se për vitin 2024 fitimet do të pësojnë rënie deri në 40%.

“Burberry” dhe “Hugo Boss” janë përballur me rënie të konsiderueshme të shitjeve në Azi dhe Amerikë. Një histori e ngjashme ka ndodhur në të ardhurat paraprake të “Cartier Richemont”, shitjet e së cilës pësuan rënie dyshifrore në Kinë. Këtë vit, dhe “Swatch Group” – që zotëron “Omega”, “Tissot”, “Longines” raportoi rënie prej 11% në shitjeve të krijuara nga ulja e shitjeve në Kinë.

Sektori i luksit është mbështetur kryesisht te Kina, e cila ishte përgjegjëse për pothuajse 16% të shpenzimeve globale të luksit vitin e kaluar, ku konsumi i mallrave luksoze u dyfishua nga 2008 në 2014.

Ekonomia e dytë më e madhe po ul ritmet e rritjes nga viti në vit. Sipas CNN, ekonomistët spekulojnë se arsyeja e ngadalësimit ekonomik mund të jetë “Kurthi i të ardhurave të mesme” – një teori ekonomike që përshkruan vendet me rritje të lartë në Azinë Lindore që dalin nga varfëria që nuk arrijnë të arrijnë statusin me të ardhura të larta për shkak të pakësimit të ofertës së punës, zvogëlimit i eksporteve dhe pamundësisë për të stimuluar konsumin.

 

Inflacioni, një shkaktar tjetër

Industria e modës pritet ta përmbyllë vitin me rënie të shitjeve në të gjitha segmentet si rrjedhojë edhe të efekteve që krijoi inflacioni i lartë.

Moda është në një situatë të vështirë, pasi rritja e normave të inflacionit ushtron presion mbi bizneset si në prodhim dhe në shitjet me pakicë. Në njërën anë, lëndët e para, puna dhe transporti po bëhen më të shtrenjta.

Ndërsa kostot e lidhura me prodhimin e veshjeve rriten, në anën tjetër kërkesa është e dobët dhe shitjet në tregjet me pakicë janë nën presion.

Një anketë globale nga Euromonitor në vjeshtën e vitit 2023 zbuloi se gati 40% e të anketuarve globalë deklaruan planet e tyre për të ulur shpenzimet për veshje dhe këpucë në 12 muajt e ardhshëm.

Arsyeja kryesore ishte inflacioni i lartë. Euromonitor tregon se, në rastin e veshjeve, kostot në përgjithësi i kaluan konsumatorit gjatë 18 muajve të parë të pandemisë (mars 2020-shtator 2021), por që atëherë, markat i kanë përthithur kostot duke sakrifikuar nga marzhet e fitimit.

Europa në vitin 2022 u përball me nivelet më të larta të inflacionit në dekada. Industria e modës nuk është e panjohur për sfidat e inflacionit. Rritja e kostove dhe rënia e të ardhurave nga shitjet mund të ushtrojnë presion të jashtëzakonshëm mbi bizneset, duke e bërë më të rëndësishme se kurrë gjetjen e mënyrave për të qëndruar konkurrues.

Prodhuesit në Shqipëri pohuan se inflacioni i lartë, ndryshimet e klimës e kanë ndikuar për keq kërkesën për veshje dhe sidomos këpucë këtë vit. Për me tepër nuk shihet ripërtëritje në afat të shkurtër.

The post Agonia e fasonit appeared first on Revista Monitor.

Shpërndaje:

Comments

No comments yet. Why don’t you start the discussion?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *