Lexoje këtu nëse e ke me ngut!
Ku qëndron Emmanuel Makron në Lindjen e Mesme?
Vallëzimi i Makronit në raport me konfliktin izraelito-palestinez po bën që të vihet në dyshim efektiviteti i tij si ndërmjetës rajonal.
“Disa zyrtarë rreth presidentit janë shumë pro-izraelitë, të tjerë janë pro-palestinez. Shpesh dukej sikur presidenti tha gjënë e fundit që i ishte thënë,” tha një ish-diplomat francez.
Franca dhe Izraeli kanë një histori komplekse që daton nga koha kur perandoritë franceze dhe britanike shkatërruan Lindjen e Mesme pas Luftës së Dytë Botërore.
Dhe në vitet e fundit, dhe veçanërisht që nga sulmi i 7 tetorit 2023 ndaj Izraelit dhe lufta e mëvonshme në Gaza, politika e vendit ndaj rajonit ka qenë tërhiq e lësho. Kështu shprehn zyrtarët dhe diplomatët francezë të intervistuar për këtë artikull, qofshin ata në detyrë, apo në pension.
Nga njëra anë është ajo që ata e përshkruan si një grup pro-izraelit që e quan veten “neokonët” (neokonservatorët). Nga ana tjetër, ata që janë më të ndjeshëm ndaj çështjes palestineze.
Presidenti francez, thanë ata, është kthyer sa tek njëra palë, ashtu edhe tek tjetra herë pas here.
Reagimi fillestar i Makron ndaj tmerreve të sulmit të 7 tetorit ishte zotimi për “solidaritet të madh” me Izraelin. Ai madje sugjeroi krijimin e një koalicioni për të luftuar Hamasin, një ide që u rrëzua menjëherë nga komuniteti ndërkombëtar.
Teksa ka kaluar një vit që nga sulmi, ndërsa numri i të vdekurve në Gaza është rritur, ai është bërë dukshëm më kritik, por jo në mënyrë konsistente.
“Unë ende nuk e di se çfarë mendon në të vërtetë presidenti.” tha ish-diplomati francez.
Në javët e fundit, Makron ka ngurtësuar qëndrimin e tij kundër Izraelit, duke shkëmbyer akuza dhe fyerje me kryeministrin Benjamin Netanyahu mbi viktimat civile dhe sulmet izraelite kundër trupave paqeruajtëse të OKB-së. Presidenti francez u bëri thirrje gjithashtu vendeve perëndimore që të ndalojnë dërgimin e armëve në Izrael, dy ditë para përvjetorit të sulmeve të 7 tetorit.
Por kur Netanyahu ia ktheu një shuplakë, Makron u përpoq të rregullonte gjërat, duke lëshuar një deklaratë për shtyp në lidhje me mbështetjen “e palëkundur” të Francës për sigurinë e Izraelit, ndërsa pranoi dallimet në pikëpamje.

Dy javë më parë, presidenti francez u citua në shtyp të thoshte se Izraeli nuk duhet të “injorojë vendimet e OKB-së” gjatë një takimi të kabinetit me dyer të mbyllura, në komente të formuluara të forta që u konfirmuan nga ministri i tij i jashtëm. Por të enjten, ai u tërhoq dhe akuzoi ministrat dhe shtypin për shtrembërim të komenteve të tij.
Zyrtarët theksojnë mungesën e një politike solide ndaj rajonit.
“Bindjet e Makron varen nga kë flet”, tha një ish-zyrtar francez që e njeh mirë rajonin. “Kur ai flet me vendet në zhvillim, ai është pro-palestinez; dhe kur ai flet me [Netanyahun], ai ka të bëjë me sigurinë e Izraelit.”
I pyetur në një konferencë shtypi të enjten nëse komentet e tij dëmtuan ndikimin e Francës në rajon, Makron u përgjigj se situata ishte “mjaft e ndërlikuar” dhe se ai “i ka peshuar fjalët e tij çdo herë që nga fillimi”.
Shkollat konkurruese të mendimit
Pikëpamjet e lëkundura të presidentit francez pasqyrojnë dallimet e opinioneve midis zyrtarëve në ministrinë e punëve të jashtme dhe të ashtuquajturën qelizë diplomatike të Elysee, ku presidenti francez përcakton politikën ndërkombëtare.
Franca është shtëpia e komuniteteve më të mëdha myslimane dhe hebreje në Europë. Për Francën, këto janë çështje delikate politike të brendshme.
Departamenti i Ministrisë së Jashtme në Afrikën e Veriut dhe Lindjen e Mesme (i njohur si ANMO) tradicionalisht ka prirje “të mbështesë kauzën palestineze, të ushtrojë presion mbi Izraelin dhe të dëshirojë të kufizojë dërgesat e armëve në Izrael”, tha një ish-diplomat i dytë francez.
Kjo shkollë e mendimit arriti kulmin në kohën e ish-presidentit francez Zhak Shirak, i cili fitoi statusin e superyllit në pjesët arabishtfolëse të Lindjes së Mesme kur hyri në një mosmarrëveshje me zyrtarët izraelitë të sigurisë gjatë një vizite në Jerusalem në vitin 1996.
Kohët e fundit, rryma konkurruese e njohur si “neokonët” është rritur në ndikim nën presidencën e Nicolas Sarkozy, François Hollande dhe Emmanuel Makron.
Sipas Denis Bauchard, një ish-ambasador francez në Jordani, neokonët ishin “dominant” në kabinetet e Catherine Colonna dhe Stéphane Séjourné, ministrat e jashtëm që shërbyen midis 2022 dhe 2024.
“[Ata] margjinalizuan ANMO, e cila u hodh poshtë si ‘rruga arabe’ armiqësore ndaj Izraelit,” tha Bauchard.
Sipas Camille Lons, nënkryetare e zyrës së Parisit të Këshillit Europian për Marrëdhëniet me Jashtë, “qendra e gravitetit të Francës është zhvendosur drejt një pozicioni më pro-izraelit” në vitet e fundit.

Megjithatë, që nga fillimi i raundit të fundit të armiqësive, politika franceze është bërë më kritike ndaj Izraelit, pasi viktimat janë grumbulluar në Gaza, ku më shumë se 40,000 njerëz vlerësohet të jenë vrarë, dhe pasi Izraeli nuk ka arritur të shpëtojë pengjet ose të arrijnë një marrëveshje për një armëpushim.
Ky ndryshim mori një kthesë më të mprehtë pasi Izraeli pushtoi Libanin në shtator, një ish-koloni franceze, ku ofensiva kundër grupit militant Hezbollah ka ngritur frikën e një lufte më të madhe rajonale.
Sulmi ishte një pengesë për Makron, i cili ishte përpjekur të zbuste konfliktin. Kryeministri izraelit nisi ofensivën pikërisht kur Parisi mendoi se ishte në prag të arritjes së një armëpushimi 21-ditor midis Hezbollahut dhe Izraelit.
Pas përplasjeve të fundit me Netanyahun, ndryshimet ka të ngjarë të vazhdojnë, thanë zyrtarët. “Ka presione, kundërpresione në ministrinë e punëve të jashtme dhe në Elysée,” tha ish-diplomati i parë francez.
“Politika e Makron në Lindjen e Mesme mund të ndryshojë brenda së njëjtës ditë, varësisht se kush e ka veshin e presidentit”, tha ai.
Politico, përshtati në shqip ©LAPSI.AL
The post “Vallëzimi” i pakuptushëm i Makron në Lindjen e Mesme appeared first on Lapsi.al.
