Masakra me 4 viktima në Shkodër, arrestohen për shpërdorim detyre 4 efektivë të “Shqiponjave”

Shpërndaje:

Lexoje këtu nëse e ke me ngut!

Katër efektivë të “Shqiponjave” në Shkodër janë arrestuar nga Agjencia e Mbikëqyrjes Policore për shpërdorim detyre, lidhur me vrasjen e katër personave në Dobraç, krim i ndodhur më 30 tetor.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (Rajoni Shkodër-Lezhë) njoftoi këtë të Mërkurë se ka ekzekutuar urdhrat e ndalimit caktuar nga Prokuroria Shkodër ndaj 4 punonjësve të policisë, të dyshuar për veprën penale “Shpërdorim detyre“. Sipas AMP-së, efektivët “nuk kanë respektuar procedurat standarde të ‘Sigurimit të vendit të ngjarjes’ dhe shoqërimit për identifikim të personave të gjetur në vendin e ngjarjes”.

Efektivët e vënë në pranga janë: Inspektor B K. dhe V.L., përkatësisht 45 dhe 33 vjeç, me detyrë Patrullë e Përgjithshme e Forcës së Posaçme Shqiponja në DVP Shkodër dhe inspektor J.S. dhe M.M., përkatësisht 31 dhe 33 vjeç, me detyrë Trupë Shërbimi në Forcën e Posaçme Shqiponja në DVP Shkodër.

AMP: Një person i tretë udhëtonte në automjet

Më tej në njoftim, AMP thotë se gjetjet hetimore kanë zbuluar se përveç dy viktimave: Hamza Lici dhe Arlind Bushati, në automjetin që u qëllua me armë zjarri ishte edhe një person i tretë.

“Urdhri i ndalimit vjen pas referimit të bërë nga Drejtoria Rajonale e AMP – së në lidhje me ngjarjen kriminale të datës 30 tetor, në lagjen Dobraç të Shkodrës, ku persona të paidentifikuar kanë qëlluar me armë zjarri ndaj automjetit tip Benz S-Class, në të cilin udhëtonin shtetasit H.L., dhe A.B., si dhe një person tjetër i paidentifikuar”, thotë AMP.

Shkelja e efektivëve të arrestuar, sipas AMP-së, lidhet me mos shoqërimin e personit të tretë, i cili dyshohet se është Ibrahim Lici, vëllai i Hamza Licit dhe i shpallur në kërkim ndërkombëtar për vrasje.

Personi i cili dyshohet se ishte në automjetin tip “Benz” dhe që largohet nga vendngjarja pa u shoqëruar nga policia
Personi i cili dyshohet se ishte në automjetin tip “Benz” dhe që u largua nga vendngjarja pa u shoqëruar nga policia

Përveç Hamza Licit dhe Arlind Bushatit viktima mbetën edhe një çift bashkëshortësh, të cilët po lëviznin me motor në rrugë.

I ati i Hamza Licit, në dëshminë e dhënë për autoritetet ka akuzuar se pas atentatit është një grup kriminal i lidhur ngushtë me qeverinë. Ndërkohë, kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha ka akuzuar se vrasja është kryer nga grupi Bajri. Safet Bajri u shoqërua pas ngjarjes, ndërsa pas marrjes në pyetje u la i lirë. Bajrat dhe Licët njihen për një histori të gjatë hasmërie në Shkodër.

Teksa për efektivët që akuzohen për shpërdorim detyre dosja i ka kaluar Prokurorisë së Shkodrës, për ngjarjen e 30 Tetorit hetimet i ka marrë në dorë Prokuroria e Posaçme.

The post Masakra me 4 viktima në Shkodër, arrestohen për shpërdorim detyre 4 efektivë të “Shqiponjave” appeared first on GIJOTINA.

Shpërndaje:

Comments

No comments yet. Why don’t you start the discussion?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *