Skandal me mish pule me salmonelë në treg: AKU fsheh kompaninë importuese

Shpërndaje:

Lexoje këtu nëse e ke me ngut!

Një sasi 18.3 tonë fileto pule me salmonelë, e importuar nga Brazili, ka hyrë në Shqipëri më 11 mars dhe është kapur në Portin e Durrësit nga Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU). Por megjithëse analizat konfirmuan praninë e Salmonella Typhimurium që më 21 mars, AKU nuk njoftoi publikun deri një javë më vonë, duke lënë konsumatorët të painformuar për një rrezik serioz shëndetësor.

Skandali thellohet nga fakti se 13.1 tonë mish me salmonelë dyshohet se kanë hyrë në treg, ndërsa vetëm 5.2 tonë janë bllokuar. Në vend që të japë alarmin, AKU ka fshehur emrin e kompanisë që ka shpërndarë mishin e kontaminuar, duke mos sqaruar publikun se ku ka përfunduar kjo sasi e rrezikshme mishi dhe cilat markete apo restorante e kanë marrë.

AKU ka deklaruar se kompania importuese ka dhënë fatura fiktive dhe informacion të pasaktë, duke pamundësuar gjurmimin e plotë të produktit. Rasti është referuar në Prokurorinë e Tiranës për hetim, ndërsa janë kryer kontrolle në të paktën 9 subjekte në Vlorë, ku u gjet dhe u tërhoq nga tregu një pjesë e filetove me salmonelë.

Në vend që të mbrojë konsumatorin, AKU ka zgjedhur të “mbrojë” me heshtje kompaninë që ka futur mish të rrezikshëm në treg. Nëse qytetarë kanë pasur temperaturë, diarre apo të vjella ditët e fundit, ka gjasa që shkaku të ketë qenë konsumimi i mishit me salmonelë, pa asnjë paralajmërim zyrtar.

Në deklaratën zyrtare, AKU flet për transparencë, por refuzon të japë të dhënat më bazike: sasinë reale të mishit të shpërndarë, kompaninë përgjegjëse dhe destinacionet e këtij mishi në treg.

Prania e salmonelës në organizëm ka pasoja shëndetësore si temperaturë, diarre dhe të vjella, ndërsa kjo është një tjetër dëshmi e një shteti që fsheh rrezikun publik dhe hesht përballë krimeve të bëra mbi trupin e konsumatorit shqiptar. Disa muaj më parë, konsumatori shqiptar mësoi për konsumin e disa tonelatave me mandarina, të cilat ishin refuzuar nga shtetet e tjera të Bashkimit Europian.

Mandarinat me helme që refuzoi Kroacia iu shitën qytetarëve shqiptarë

Mandarinat me helme u bllokuan fillimisht nga Kroacia, por pasi u kthyen në Shqipëri në dhjetor të vitit të kaluar, iu shitën qytetarëve shqiptarë. Edhe pse produktet e rrezikshme duhet të ishin shkatërruar, ato janë rihedhur sërish në treg, nën hundën e Autoriteti Kombëtar të Ushqimit dhe gjithë strukturave të tjera shtetërore që duhet të garantojnë shëndetin dhe jetën e konsumatorëve.

Skandali i rëndë u konfirmua nga prokuroria e Beratit, që arrestoi tre persona, mes të cilëve dhe një inspektor të AKU-së në Berat, të cilët pas kthimit të mandarinave nga Kroacia, në vend të groposjes dhe shkatërrimit të tyre i kishin rihedhur sërish në treg duke iu shitur qytetarëve 10 ton mandarina me helme.

Njoftimi i Autoritetit Kombëtar të Ushqimit

Në kuadër të transparencës dhe informimit të publikut, si dhe për të garantuar sigurinë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) ka ndërmarrë një sërë masash të menjëhershme dhe të strukturuara për të adresuar një situatë të identifikuar disa ditë më parë gjatë kontrolleve të produkteve ushqimore të importuara në Portin e Durrësit.

Pas analizës së realizuar në ISUV më 21.03.2025, ku u identifikua prania e Salmonella Typhimurium në një mostër produkti pule (fileto e ngrirë), e importuar nga Brazili, AKU ka ndërhyrë në mënyrë të koordinuar me strukturat përgjegjëse për gjurmimin, verifikimin dhe bllokimin e produktit, si dhe për marrjen e masave administrative dhe ligjore ndaj subjektit përgjegjës.

Është inspektuar subjekti importues për të siguruar gjurmueshmërinë, i cili është referuar në organet e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë për veprime të mëtejshme proceduriale lidhur me elementët e veprës penale për mosrespektim të kritereve të gjurmueshmërisë dhe dhënie të informacionit të pasaktë.

The post Skandal me mish pule me salmonelë në treg: AKU fsheh kompaninë importuese appeared first on Lapsi.al.

Shpërndaje: