Kultivuan kánabis, në pranga dy persona, shpallen në kërkim 2 të tjerë

Shpërndaje:

Lexoje këtu nëse e ke me ngut!

Policia ka arrestuar dy persona pasi kishin kultivuar bimë kanabisi në 8 miniparcela në kodrat e fshatit Lekaj. Nga operacioni u sekuestruan 20000 euro, 1000 fara Cannabisi, 1 armë sportive, municion dhe sende të tjera të kundërligjshme.

Njoftimi i policisë:

Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë kriminale të kultivimit të bimëve narkotike, pas një hetimi njëmujor, me metoda proaktive, në kuadër të operacionit policor të koduar “Lekaj”, u kapën në flagrancë 2 shtetas, të cilët kishin kultivuar 1200 bimë narkotike në 8 miniparcela në kodrat e fshatit Lekaj (pranë depos së ujit të këtij fshati).

Konkretisht, u vunë në pranga shtetasit D. M., 59 vjeç, banues në fshatin Lekaj dhe A. H., 36 vjeç, banues në fshatin Donofrosë, Berat. Gjithashtu, u identifikuan dhe u shpallën në kërkim shtetasit R. K. dhe E. K., për të cilët, për shkak të hetimit, nuk jepen të dhëna të tjera.

Në kuadër të këtij operacionit u kryen kontrolle në disa banesa dhe ambiente, prej të cilave u sekuestruan 20000 euro, 1000 fara Cannabisi, 1 armë sportive, municion dhe sende të tjera të kundërligjshme. Gjithashtu, u sekuestrua me cilësinë e provës materiale një pjesë e bimëve narkotike, ndërsa pjesa tjetër u asgjësua nëpërmjet djegies.

Po punohet me intensitet të lartë, për të kapur shtetasit e shpallur në kërkim, si dhe për të dokumentuar me prova ligjore këtë veprimtari kriminale. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Durrësit, për veprime të mëtejshme.

The post Kultivuan kánabis, në pranga dy persona, shpallen në kërkim 2 të tjerë appeared first on Lapsi.al.

Shpërndaje: